![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2024/02/atk-2.jpg)
Richard Heater nga Ambasada Amerikane viziton ATK-në, njoftohet me progresin në këtë institucion
Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, ka pritur në takim përfaqësuesin nga Ambasada Amerikane në Kosovë, Richard Heater, me të cilin kanë biseduar për progresin e ATK-së, si dhe bashkëpunimin e institucionit tatimor me Ambasadën.
ATK-ja ka njoftuar se bashkëpunimi ndërmjet ATK-së dhe Ambasadës së ShBA-së është shumë i rëndësishëm për avancimin dhe zhvillimin e sistemit tatimor në Kosovë.
“Me mbështetjen e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, Administrata Tatimore ka arritur progres të rëndësishëm në përmirësimin e efikasitetit, transparencës dhe kapaciteteve të saj. Ambasada Amerikane ka ndihmuar në ofrimin e trajnimeve dhe programeve të specializuara për stafin e Administratës Tatimore, duke kontribuar në rritjen e aftësive teknike dhe profesionale të punonjësve të saj. Përveç kësaj, mbështetja financiare dhe teknike i ka mundësuar Administratës Tatimore të zhvillojë dhe zbatojë projekte inovative për të përmirësuar sistemin e mbledhjes së tatimeve dhe për të luftuar evazionin fiskal”, ka njoftuar ATK-ja.