Richard Record: Shqipëria dhe Kosova të përqendrohen në diversifikimin e ekonomive të tyre
Në raportin e saj të fundit për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Banka Botërore parashikon një rritje të moderuar ekonomike në dy vitet e ardhshme, por paralajmëroi se rajoni vazhdon të mbetet i brishtë dhe rritja e tij ekonomike e pasigurt.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, eksperti kryesor i Bankës Botërore për rajonin, Richard Record tha se sfidat më të mëdha për Shqipërinë dhe Kosovën janë strukturore – çështjet si dallime në cilësinë e aftësive të forcës së punës, shpërputhja mes sektorit arsimor dhe nevojave të sektorit privat, si dhe sigurimi i investimeve cilësore, që do të siguronin vende pune më të qëndrueshme. “Ne jemi optimist, por edhe të kujdesshëm sa i përket mundësive për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor. Kemi parë një forcim të shkallës së rritjes. Rajoni në tërësi ka shënuar një rritje nga 2.6 për qind vitin e kaluar në 3.3 për qind këtë vit. Është e rëndësishme të kuptojmë se kjo po ndodh në një mjedis me shumë sfida dhe me shumë pasiguri nga jashtë. Bashkimi Evropian, në veçanti Gjermania, që është partneri më i madh tregtar dhe për investimet në tërë rajonin, ka tani një gjendje të pandryshuar e ndoshta ekonomia e saj është në recesion. Mes kaq shumë paqëndrueshmërive në mjedisin e jashtëm, fakti që rajoni po përjeton rritje me shkallë të përshpejtuar ekonomike, është shumë inkurajuese. Dhe natyrisht, fakti që Ballkani Perëndimor ka rritje më të shpejt se Bashkimi Evropian, nënkupton një shkallë përafrimi sa i përket standardit të jetesës”, ka theksuar Record.
Ai ka shtuar se për ekonomi të vogla të hapura siç janë ato të Kosovës dhe Shqipërisë diversifikimi është i rëndësishëm. “Kjo do të thotë të baraspeshojnë kërkesën e jashtme me atë të brendshme, të sigurojnë një baraspeshë sa u përket sektorëve të ekonomisë, për shembull të kenë mallra për të tregtuar si dhe shërbime, turizëm dhe aktivitete që lidhen me të. Kemi parë që përkundër rritjes mjaft të dobët në eurozonë, ka pasur rritje të fuqishme në sektorin e shërbimeve, të dërgesave nga diaspora si dhe turizmit. Këtu qeveritë mund të luajnë rolin e tyre dhe mbase nuk është rastësi që këtë vit dhe vitin e ardhshëm dy qeveritë, në Kosovë dhe në Shqipëri, po rrisin investimet publike në përpjekje për të mbështetur rritjen ekonomike”, ka deklaruar Record.