Ridefinimi i kufijve, zgjidhja më e drejtë
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, ka vlerësuar se zgjidhja më e mirë e problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë është ridefinimi i kufijve bazuar në vullnetin e popujve.
Ai ka thënë se ky variant do ta mbyllte konfliktin, do ta hapte rrugën për pajtimin e popujve si dhe do t’i krijonte parakushtet që Kosova të bëhet shtet funksional.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Murati ka deklaruar se partitë politike duhet të ndërtojnë një platformë të bisedimeve me Serbinë dhe në qendër të tyre ta vendosin reciprocitetin, që nënkupton se të njëjtat të drejta që gëzojnë serbët në tri komunat veriore, po ato t’u garantohen edhe shqiptarëve në Kosovën Lindore.
Ai ka folur edhe për qeverisjen në vend, për të cilën ka thënë se më shumë ka karakter anarkik sesa të një qeverisjeje normale.
“Kemi një sërë vendimesh që më shumë i japin kësaj qeverie karakter anarkik sesa të një qeverisjeje normale. Ka raste kur duket se qeveria nuk e di fare se çfarë po ndodh, siç ishte rasti i arrestimit të Gjuriqit, rasti i arrestimit të gjashtë shtetasve turq, apo edhe tani rreth bisedimeve me Serbinë. Kemi një situatë jashtëzakonisht absurde ku, për shkak të numrave dhe mënyrës se si është krijuar qeveria, ajo vështirë se funksionon për shkak të dinamikave në mes të partnerëve të koalicionit. Sigurisht ka sektorë, sikur në atë të shëndetësisë, ku duket se ka një përpjekje serioze nga ana e ministrit për ta ndryshuar për të mirë. Por këto përpjekje deri më tani janë të copëzuara dhe nuk vërehet se ka një qasje të koordinuar të Qeverisë në të gjithë sektorët për ta përmirësuar situatën”, ka thënë Murati.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)