Ridefinimi i kufijve, zgjidhja më e drejtë

09 gusht 2018 | 15:12

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, ka vlerësuar se zgjidhja më e mirë e problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë është ridefinimi i kufijve bazuar në vullnetin e popujve.

Ai ka thënë se ky variant do ta mbyllte konfliktin, do ta hapte rrugën për pajtimin e popujve si dhe do t’i krijonte parakushtet që Kosova të bëhet shtet funksional.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Murati ka deklaruar se partitë politike duhet të ndërtojnë një platformë të bisedimeve me Serbinë dhe në qendër të tyre ta vendosin reciprocitetin, që nënkupton se të njëjtat të drejta që gëzojnë serbët në tri komunat veriore, po ato t’u garantohen edhe shqiptarëve në Kosovën Lindore.

Ai ka folur edhe për qeverisjen në vend, për të cilën ka thënë se më shumë ka karakter anarkik sesa të një qeverisjeje normale

 “Epoka e re”: Z. Murati, si e vlerësoni qeverisjen e deritanishme nga koalicioni PAN dhe rolin opozitar të LDK-së, LV-së dhe PSD-së?
Murati: Të them të drejtën, vështirë është të thuhet edhe se ka qeverisje në Kosovë. Kemi një sërë vendimesh që më shumë i japin kësaj qeverie karakter anarkik sesa të një qeverisjeje normale. Ka raste kur duket se qeveria nuk e di fare se çfarë po ndodh, siç ishte rasti i arrestimit të Gjuriqit, rasti i arrestimit të gjashtë shtetasve turq, apo edhe tani rreth bisedimeve me Serbinë. Kemi një situatë jashtëzakonisht absurde ku, për shkak të numrave dhe mënyrës se si është krijuar qeveria, ajo vështirë se funksionon për shkak të dinamikave në mes të partnerëve të koalicionit. Sigurisht ka sektorë, sikur në atë të shëndetësisë, ku duket se ka një përpjekje serioze nga ana e ministrit për ta ndryshuar për të mirë. Por këto përpjekje deri më tani janë të copëzuara dhe nuk vërehet se ka një qasje të koordinuar të Qeverisë në të gjithë sektorët për ta përmirësuar situatën. Për më tepër, situata është keqësuar sa i përket nepotizmit dhe klientelizmit partiak në punësimet në institucionet shtetërore dhe në ndërmarrjet publike. Absurdi tjetër zhvillohet në kampin opozitar. Ndonëse me numra, opozita është ndër më të fortat. Sa iu përket veprimeve dhe fuqisë ndikuese në qeverisjen e vendit, kjo opozitë është ndër më të dobëtat. Andaj e kam theksuar disa herë se jetëgjatësia e kësaj Qeverie do të jetë përtej asaj që mendohej fillimisht.

“Epoka e re”: Gjatë kësaj periudhe vendi është ballafaquar me probleme dhe sfida të ndryshme. Një prej tyre është dialogu me Serbinë. Si e shihni përfundimin e këtij procesi dhe a po përgatiten si duhet institucionet për këtë çështje?
Murati: Fatkeqësisht, që prej fillimit të dialogut me Serbinë, në vitin 2011, Kosova ballafaqohet me të njëjtin problem: pala e Kosovës nuk ka një platformë të bisedimeve. Deri më tani agjenda e bisedimeve është përcaktuar nga të tjerët dhe në vazhdimësi është folur vetëm për Kosovën dhe për të drejtat e pakicës serbe. Kjo situatë po vazhdon e njëjtë edhe sot. Tani kur po trumbetohet se po futemi në fazën finale të bisedimeve, institucionet e vendit jo vetëm se nuk kanë një platformë politike konsensuale por, për më keq, kemi një ngarendje të forcave politike që qasjen ndaj bisedimeve ta ndërtojnë duke e parë nga prizmi i rezultateve të mundshme elektorale. Kjo e vështirëson situatën dhe, siç u pa, kjo u dëshmua edhe përmes tryezave të partive politike, të cilat, për shkak të mungesës së vullnetit politik, dështuan në ndërtimin e një konsensusi dhe platforme politike të bisedimeve. E njëjta atmosferë mbretëron në Kuvendin e Kosovës. Atmosfera e një beteje politike të pakompromis e ka sjellë këtë institucion buzë mosfunksionalitetit të plotë. Në vend se të kemi një debat për një platformë politike dhe se çka duhet të përmbajë ajo, partitë politike tash e disa muaj merren se kush do t’i udhëheqë bisedimet. Gjithashtu, tani vërehen papajtueshmëri të thella sa iu përket bisedimeve edhe brenda vetë kampit qeveritar, si dhe në relacionin qeveri-presidencë. Krejt kjo nuk jep shpresë për një proces nga i cili në fund do të kemi një zgjidhje të qëndrueshme dhe të drejtë të raporteve shqiptaro-serbe, përkatësisht të problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Epoka e re”: Tashmë është lansuar edhe ideja që në kuadër të dialogut të diskutohet edhe për zgjidhjen e çështjes së Luginës së Preshevës si dhe të ketë korrigjim të kufirit me Serbinë. Lëvizja për Bashkim është për një korrigjim të tillë?Murati: Lëvizja për Bashkim që prej vitit 2010 ka dalë publikisht me platformën për zgjidhjen e çështjes shqiptaro-serbe. Kjo platformë përmban katër shtylla kryesore: 1. Bisedimet duhet të jenë politike dhe ato duhet të zhvillohen në mes të dy shteteve; 2. Pavarësia e Kosovës është e panegociueshme; 3. Bisedimet duhet të zhvillohen për çështjet e pazgjidhura në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe zgjidhjet duhet të bëhen mbi bazën e reciprocitetit: të gjitha të drejtat që do të mund t’i përfitojnë tri komunat veriore të Kosovës – Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok duhet t’i gëzojnë edhe tri komunat e Kosovës Lindore – Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, dhe kjo duhet të shkojë deri në ridefinimin e kufirit në bazë të vullnetit të banorëve të këtyre zonave; dhe 4. Pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës dhe fshatrat shqiptare përreth saj nuk mund të jenë temë e bisedimeve. Atje është kryer spastrim etnik ndaj shqiptarëve dhe ata duhet të kthehen në pronat e veta. Pra, prej vitit 2010 e deri më tani ne kemi ngulmuar se qasja ndaj bisedimeve me Serbinë duhet të ndryshojë në mënyrë që në tryezën e bisedimeve ne t’i vendosim problemet kryesore që mundojnë të dy shtetet dhe të dy popujt dhe në to të mos flitet vetëm për Kosovën dhe për serbët. Ngulmimi ynë disavjeçar ka qenë që ne, pra, partitë politike në vend, duhet të ndërtojmë një platformë të bisedimeve me Serbinë dhe në qendër të tyre ta vendosim reciprocitetin. Kjo ka nënkuptuar që të njëjtat të drejta që (do t’i) gëzojnë serbët në tri komunat veriore, t’u garantohen edhe shqiptarëve në Kosovën Lindore. Më vonë e kemi zgjeruar këtë koncept, duke ofruar alternativën që nëse nuk shkon varianti i parë, të kërkohet reciprociteti në të drejta për të gjithë shqiptarët në Serbi, kudo që ata jetojnë, me ato të serbëve në Kosovë, që do të shkonte deri te vendet e garantuara për shqiptarët në parlamentin serb dhe e drejta e vetos ashtu si e kanë serbët dhe pakicat e tjera në Kosovë. Ridefinimi i kufijve, bazuar në vullnetin e popujve për vetëvendosje, do të vinte si përfundim i këtij procesi apo pas një relaksimi të marrëdhënieve në mes të dy shteteve dhe popujve dhe zbatimit të parimit të reciprocitetit në ndërkohë. Nuk ka dyshim se duke e ditur edhe qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare për mosndryshim të kufijve, kemi ngulmuar fillimisht për reciprocitetin në të drejta që nuk do të prekte kufijtë. Sidoqoftë, e kemi theksuar hapur se varianti më i mirë është varianti i ridefinimit të kufijve bazuar në vullnetin e popujve, sepse ky variant jo vetëm se do ta mbyllte konfliktin e do ta hapte rrugën për pajtimin e popujve tanë, por edhe do t’i krijonte parakushtet për ndryshime kushtetuese në Kosovë dhe shndërrimin e saj në një shtet funksional.

“Epoka e re”: Mund të përcillet me pasoja ky proces?
Murati: Zgjidhja më e mirë që do ta shtronte rrugën për paqe e pajtim, e që është reciprociteti në të drejta deri në ridefinim të kufijve, po paraqitet si gogol në opinionin publik. Përderisa zgjidhja që mund të rrjedhë si pasojë e kësaj zhurme, asociacioni, apo madje edhe ndonjë formë më e avancuar e autonomisë territoriale për serbët, e që mund të paraqitet si fitore në një moment (kinse e ruajtëm integritetin territorial), është zgjidhja më fatale për Kosovën. Kjo zgjidhje, në një situatë të mëvonshme, mund të përfundojë vërtet me ndarje të Kosovës, me vendosjen e kufirit aty ku e ka synim Serbia: përgjatë lumit Ibër. Por pse është më e komplikuar të shpjegohet se ky variant i fundit është më i rëndë për Kosovën dhe shqiptarët? Sepse jofunksionaliteti i shtetit nuk ndihet si një goditje fatale, por si një sërë goditjesh të vogla, por të vazhdueshme dhe konsistente, që do t’i jepen funksionalitetit të shtetit të Kosovës nga Asociacioni, i kombinuar me privilegjet juridike dhe politike që pakica serbe i ka me Kushtetutë. Krizat që do të prodhohen herë pas here nga ky rregullim politiko-juridik do të bëjnë që Kosova të mos mundet asnjëherë të merret me problemet e saj të jetës së përditshme, si: ekonomia, arsimi, shëndetësia, lufta kundër korrupsionit, çështjet sociale etj. Duke qenë se këto e zgjasin agoninë e shtetit të Kosovës, por e mbajnë atë gjallë me infuzion, krijojnë përshtypjen se ka një grimcë shprese që do të përmirësohet situata. Lufta partiake ndërshqiptare do të acarohet, duke e rënduar edhe më tej situatën dhe duke pamundësuar propozime të guximshme dhe vizionare për dalje nga kriza. Në anën tjetër, sa i përket vazhdimit të konfliktit shqiptaro-serb, ai do të vazhdojë brenda Kosovës, i nxitur nga Serbia, por asnjëherë publikisht. Madje, Serbia do të paraqitet herë pas here edhe si faktor stabiliteti duke ndërmjetësuar për t’i ‘qetësuar’ gjakrat në mes të organeve qendrore të Kosovës dhe atyre të autonomisë serbe në Kosovë. Të gjitha këto, ajo në të vërtetë do t’i menaxhojë për ta arritur qëllimin final të saj, ndarjen e Kosovës, në një moment të përshtatshëm, tek kufiri në Ibër. Aq do të humbim terren në Kosovën Lindore, e rrjedhimisht edhe popullsi, sa në të tilla rrethana, vështirë se do të mund të kishte ridefinim të kufijve. Atëherë mund të na ndodhë vërtet ndarja e Kosovës.

“Epoka e re”: Ideja e presidentit Thaçi që në kuadër të dialogut të përfshihet Lugina e Preshevës po përcillet me një frikë se pas kësaj mund të fshihet ndarja e Kosovës apo një lloj autonomie për veriun. Janë të mundshme këto opsione?
Murati: Sigurisht se është një hap i rëndësishëm para i presidentit Thaçi (deri tash vetëm deklarativ), që për herë të parë ka filluar ta shtrojë publikisht se në bisedimet me Serbinë do të flitet edhe për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën. Deri më tani kjo çështje, siç e theksova, është injoruar tërësisht. Presidenti disa herë e theksoi se do të kërkojë që kjo pjesë t’i bashkohet Kosovës. Unë nuk e di se sa i ka të njëmendta presidenti këto qëndrime dhe sa ka pajtueshmëri me faktorët e rëndësishëm të arenës ndërkombëtare (ndonëse vërehet një ndryshim diskursi i një pjese të përfaqësuesve të këtyre të fundit), por besoj se edhe në këtë rast janë bërë disa gabime në hapa. Tërë energjia është dashur të përqendrohet në hartimin e një platforme konsensuale, ku do të përfshiheshin edhe përfaqësuesit politikë të Kosovës Lindore dhe të vendosej reciprociteti në të drejta si parim i bisedimeve. Unë jam i sigurt se një qasje e tillë do të krijonte një unitet më të madh në skenën politike dhe nuk do të kishim reagime të shfrenuara kundër ridefinimit të kufijve siç po ndodhin tani. Për më tepër, reciprociteti në proces do të dërgonte domosdo në ridefinim të kufijve duke u bazuar në vullnetin e popujve, sepse ajo është zgjidhja më e drejtë. Përndryshe, terminologjia e përdorur këto ditë si ndarje, korrigjim i kufijve etj., e ka pasur edhe defektin se ka trajtuar vetëm territorin dhe pasuritë natyrore, por jo edhe njerëzit, të cilët në të vërtetë janë pasuria më e madhe për çdo shoqëri. Shumë më e drejtë do të ishte që në fokus të reciprocitetit dhe të ridefinimit të jetë vullneti i qytetarëve sesa territoret. Ky model, pra kur qytetarët vendosin për fatin e vet, është siguria më e fuqishme për zgjidhje të qëndrueshme. Përndryshe, alternativat e kësaj situate do të jenë shumë të dëmshme për Kosovën. Ato janë asociacioni ose autonomia, që do ta bëjnë tërësisht jofunksional shtetin e Kosovës, dhe tjetra është vazhdimi i kësaj status quoje. Në të dy variantet, pas një kohe (qoftë edhe dekada) në rrethana të tjera, rreziku është i madh që Kosova të ndahet dhe që kufiri të na vendoset aty ku e ka synim Serbia, pra në lumin Ibër. E, në anën tjetër, Kosova Lindore mund të mbetet pa shqiptarë për shkak të shpërnguljeve të vazhdueshme. Andaj, çdo ditë e më shumë po vazhdoj të habitem se si ka njerëz në këtë shoqëri të cilët e trajtojnë me indiferencë totale mundësinë që Presheva, Bujanoci e Medvegja, me popullsinë e tyre shqiptare, kontribuuese të vazhdueshme në luftën për liri, të jenë pjesë e Kosovës, duke mbrojtur idenë e integritetit territorial dhe mbetjes në Kosovë të komunave me shumicë serbe, të cilat janë jo vetëm jolojale, por edhe e bëjnë në vazhdimësi shtetin e Kosovës jofunksional.

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi në…