Ridvan Berisha: Ministrat e Kurtit me mashtrim epokal historik po e paraqesin Kosovën parajsë vendesh pune
Gazetari Ridvan Berisha ka komentuar punën dyvjeçare të qeverisë Kurti dhe deklarimet e ministrave për këtë dyvjeçar, veçanërisht deklaratën e ministrit Hekuran Murati, i cili tha se gjatë vitit që lamë pas u shtuan 7 048 vende në sektorin e prodhimit dhe përpunimit.
Berisha ka shkruar në “Facebook” se ministrat e qeverisë Kurti me mashtrimin epokal historik po e paraqesin Kosovën parajsë vendesh pune.
“E kuptoj që politika është art i s’mundshmes! Por, për Zotin pse shkojnë kaq larg ministrat e Qeverisë Kurti me mashtrimin epokal historik duke e paraqitë Kosovën parajsë vendesh pune, qe për dy vjet i kanë hapur mijëra vende pune, edhe këtë e përjetova”, ka shkruar Berisha.
Ai ka thënë se realiteti politik ekonomik e qeverisës në përgjithësi po prodhon defetozëm me vagona, ikje masovike të njerëzve.
“E çka bëni ju, e retushoni pa pikë përgjegjësie e marrë fotografinë pikëlluese. Votuesit e njëjtë që besuan e shpresuan te ju, ata në rend të parë do t’u hakmerren, mezi po presin dhe ata do t’iu përzënë keq nga pushteti!”, ka shkruar ai.
Berisha ka theksuar se nuk ka besuar ndonjëherë te kjo qeveri.
“Unë te ju nuk kam besuar ndonjëherë. Po, një gjo e kam besu, se ju jeni vula e përçarjes, urrejtjes, mashtrimit të madh dhe edhe e papjekurisë për shtet!”, ka shkruar gazetari Berisha.