Riemërimet dhe shkarkimet, si mjet i “kontrollimit” të institucioneve
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, të martën për të dytën herë brenda tre muajsh, e shkarkoi Ilir Murtezajn nga posti i drejtorit të përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës. Herën e parë, më 16 tetor, Murtezaj u shkarkua për shkak të, siç u tha, performancës së dobët. Kurse, për shkarkimin herën e dytë, deri më tani nuk ka marrë ndonjë vendim me shkrim nga kryeministri në detyrë.
Zyra e Kryeministrit të martën ka njoftuar se në postin e ushtruesit të detyrës të ATK-së, për së dytën herë është emëruar Ekrem Hysenaj, dhe në njoftim nuk është përmendur shkarkimi i Murtezajt.
Sipas Murtezajt, qeveria aktuale është duke e shfrytëzuar ditët e fundit të pushtetit, për të realizuar interesat individuale të disa njerëzve. Për emërimin e ushtruesit të drejtorit të ri, ai thotë se është njoftuar përmes mediave. “Unë saktësisht nuk e di qëllimin e kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti dhe ministres në detyrë të Financave, Hykmete Bajrami. Mirëpo, një vendim i tillë ka dëmtuar rëndë institucionin më vital të shtetit si dhe ka rrezikuar stabilitetin makrofiskal, duke zvogëluar mundësinë e inkasimit të të hyrave dhe luftimit të informalitetit. Njëkohësisht ka cenuar të drejtën time në marrëdhënien e punës, të garantuar me Ligjin e punës dhe Ligjin e zyrtarëve publikë,” thotë Murtezaj për Radion Evropa e Lirë.
Administrata Tatimore e Kosovës është agjenci ekzekutive në kuadër të Ministrisë së Financave. Hykmete Bajrami, ministre në detyrë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Murtezaj është shkarkuar për të njëjtat arsye që është liruar herën e parë nga detyra.
Kurse sa i përket akuzave të Murtezajt se qeveria në detyrë po shfrytëzon ditët e fundit për interesa individuale, ministrja në detyrë, Hykmete Bajrami shkurt përgjigjet se “absolutisht nuk është e vërtet”.
Murtezaj është kthyer në punë pas shkarkimit të parë, pasi që Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil (KPMSHC) aprovoi ankesën e tij dhe e obligoi kryeministrin në detyrë, Hoti që ta rikthejë në krye të këtij institucioni brenda 15 ditësh. Me një vendim të datës 31.12.202, të cilin e posedon Radio Evropa e Lirë, kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, ka rikthyer në pozitën e tij drejtorin Murtezaj. Murtezaj ka nisur punën më 8 janar dhe qëndroi në këtë post deri më 11 janar. “Me date 11.01.2021 pranova vendimin nga Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë, për pezullimin tim nga detyra. Ky Këshill është themeluar më datë 20.12.2020, vetëm tre ditë pas nxjerrjes së vendimit nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyes Civil (KPMSHC)”, tha Murtezaj.
Në vendimin e Këshillit, i cilin e kryeson Agim Veliu, ministër në detyrë i Punëve të Brendshme, të datës 11.01.2021 thuhet se “aprovohet kërkesa e ministres së Financave, Hykmete Bajrami për inicimin e procedurës disiplinore kundër Ilir Murtezajt, drejtor në ATK”.
Po në këtë vendim thuhet se Ilir Murtezaj pezullohet nga detyra e drejtorit të përgjithshëm, deri në një vendim tjetër.
Ilir Murtezaj thotë se për të gjitha shkeljet ligjore dhe padrejtësitë e ushtruara nga ministrja në detyrë Bajrami, do të shfrytëzojë mjetet juridike, për të mbrojtur të drejtat e tij.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se rasti i drejtorit të ATK-së është rasti “më përfaqësues i kapjes së shtetit përmes shkarkimit të kundërligjshëm nga Qeveria Hoti në muajin tetor të vitit 2020, dhe anulimin e këtij vendimi nga një organ i emëruar nga Kuvendi i Kosovës, siç është Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil në fund të dhjetorit të vitit 2020, duke e konsideruar vendimin e qeverisë të kundërligjshëm”.
Sipas Miftarajt, “po vërehet tendenca e kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti që përmes vendimeve të pabazuara dhe në raste të kundërligjshme, të zaptojë dhe kontrollojë çdo pozitë, e cila lidhet me parandalimin dhe luftimin e korrupsionit”. “Këto vendime janë arbitrare, në kundërshtim me ligjin dhe procedurat përmes së cilave cenohet rëndë parimi i sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë”, tha Miftaraj.
Zyra e kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, nuk ka dashur të komentojë këto akuza.
Miftaraj thotë se pozitat e drejtorit të Policisë, ATK-së dhe Doganës së Kosovës nuk do të duhej të ishin subjekt i luftës politike në mes të partive politike.
“Këto pozita përbëjnë bazamentin e institucioneve ligjzbatuese, që kanë mandat parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit në vend”, thotë ai.