
Rifat Berisha me këngë sjell në kujtesë martirët e familjes Lipa (video)
Mëngjesin e 13 prillit të vitit 1999 forcat serbe e kishin kuptua se po dilte tym nga oxhaku i shtëpisë së Lipajve të Studenicës së Istogut, ku aty kishte civilë shqiptarë të cilët më pas i ekzekutuan.
Këta familjarë ishin duke pjekur bukë në momente kur forcat serbe e kishin kuptuar se ishin të pranishëm në shtëpi.
Katër vajza, asnjëra nuk kishte mbushur 16 vjet dhe gjashtë të moshuar ishin vranë në vend. Përveç njërit, nëntë viktimat ishin të familjes Lipa.
26 vjet pas ekzekutimit të tyre nga forcat serbe, ikona e folklorit, Rifat Berisha, ka publikuar këngën “Martirët e familjes Lipa”, kushtuar këtyre të rënëve për liri.
Kjo këngë, jo vetëm që ngjallë emocion të fortë, por sjell në kujtesë krimin e tmerrshëm të forcave serbe ndaj familjes së pafajshme Lipa.
“Ju dëgjoni o shqiptarë, prapë po u tham si ma parë. Asnjëherë ju mos harroni, shkaun mik kurrë s’mund ta bani. K’ta janë bisha t’egra t’malit, o dal nga shpellat more të Uralit”, është vetëm një pjesë e këngës së Berishës.
Rifat Berisha është njëri ndër rapsodët më të shquar të kombit shqiptar. Këngët e tij, sidomos gjatë luftës së UÇK-së kanë qenë motivim për luftëtarët e lirisë. Ato bartin në vetvete jo vetëm emocion, por histori dhe atdhedashuri. Të njëjtin emocion dhe histori ka edhe kënga e re e Berishës.
Për më shumë dëgjojeni këngën “Martirët e familjes Lipa”: