Rifat Jashari: Ushtria e Kosovës ta mbrojë territorin ashtu siç e mbrojti UÇK-ja
Në ceremoninë ushtarake që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka mbajtur për nder të 21-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, ka folur edhe përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari.
Ai ka thënë se në këtë ditë janë bashkuar para ushtrisë më të re të kombit shqiptar, Ushtrisë së Kosovës.
Rifat Jashari ka kërkuar që Ushtria e Kosovës të jetë e gatshme ta mbrojë territorin e Kosovës ashtu qysh e mbrojti Ushtria Çlirimtare e Kosovës, raporton “Epoka e re”.
Ndërkaq ka falënderuar SHBA-në dhe shtetet tjera mike të Kosovës për ndihmën që kanë dhënë dhe vazhdojnë ta japin për shtetin tonë.
“Sot jemi bashkuar këtu më 5 mars para ushtrisë më të re të kombit shqiptar, Ushtrisë së Kosovës. Dëshiroj t’ju përshëndes të gjithëve këtu dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë. Ushtrisë së Kosovës i dëshiroj suksese dhe lumturi që gjithmonë të jenë të gatshëm ta mbrojnë territorin e vendit tonë ashtu qysh e mbrojti Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Lavdi dhe nder të gjithë atyre që kanë rënë më herrët dhe më vonë, duke i falënderuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet mike që na kanë ndihmuar dhe besojmë se prapë kanë për të na ndihmuar deri në fund, që t’i zgjedhim problemet që i kemi përpara. Lavdi dhe nder juve dhe gjithë kombit shqiptar”, ka thënë Rifat Jashari.
/Epoka e re/