Rifati: Marmarinos kishte njohuri zero për ligën dhe lojtarët e Kosovës
Ish-përzgjedhësi i Kosovës, Christos Marmarinos në një deklaratë për mediet greke të martën, e ka krahasuar basketbollin në Kosovë me vitet e 70-ta.
Ai ka akuzuar ndihmësit e tij për mungesë profesionalizmi dhe ka kritikuar organizimin e Federatës së Basketbollit të Kosovës. Të mërkurën Marmarinosit i është kundërpërgjigjur ish-asistenti i tij, Arbnor Rifati.
“Fillimisht konstatoj se të gjitha akuzat e lëshuara nga ana e ish selektorit janë të pavërteta dhe paranoike. Unë në tetor të vitit 2021 jam zgjedhur si ndihmës trajnerë i Përfaqësueses së Kosovës ku për dy dritare ishim së bashku me të dhe dy trajnerët Dritëro Sefaja e Bujar Loci”, ka thënë Rifati.
“Akuzat e tij se ndihmësit e tij ishin jo profesional duke aluduar këtu edhe trajnerët para meje Illmen Bajra, Andin Rashica janë plotësisht rrena të kulluara pasi gjithë ne kemi punuar me zell bile kemi kryer edhe punën e tij”, u shpreh ai.
Rifati ka akuzuar Marmarinosin se nuk i njihte basketbollistët vendorë. “Kur hartonim listën e gjerë shumicën e lojtarëve nuk i njihte fare, ndërsa informacionet mbi ligën e Kosovës i kishte 0. Kur dihet që gjithë rosteri përfaqësueses së Kosovës ka qenë i përbërë nga Superliga e Kosovës. Në dy grumbullime ka ardhur me vonesë dhe sigurisht se gjithë materialet, video analizat i kemi përgatitur ne dhe materialet akoma i posedojmë secili nga ne”, u përgjigj Rifati ndaj akuzave të ish-selektorit.
Tekniku prizrenas, i arrestuar në qershorin e këtij viti nën dyshimet për kurdisje të ndeshjeve, foli edhe për rastin e “basketbollistit të patateve”, siç i është referuar Marmarinos në intervistën e tij. “Për rastin e patateve ajo nuk qëndron e vërtetë pasi lojtari në fjalë asnjëherë s’ka qenë pjesë e përfaqësueses por vetëm i një klubi basketbollistik”, u shpreh Rifati.