Rifillojnë punimet për ndërtimin e sallës së edukatës fizike në shkollën “Maxhun Çekaj” në Irzniq
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, mori pjesë në rifillimin e punimeve për ndërtimin e Sallës së edukatës fizike në shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Maxhun Çekaj” në Irzniq.
Ministri Bytyqi është shprehur i kënaqur me rezultatin e angazhimit të vazhdueshëm të qeverisë qendrore dhe asaj lokale, që infrastruktura shkollore të plotësohet edhe me infrastrukturë përcjellëse, duke i shndërruar shkollat në ambiente reakreative për nxënës, nga ku ata do të mund të zhvillojnë talentin e tyre për sporte të ndryshme.
Ministri Bytyqi theksoi se, ndërtimi i kësaj Salle, përveç përmbushjes së zotimeve të tij, po sjellë edhe gëzim në fytyrat e fëmijëve të kësaj shkolle.
“Më bën krenarë gëzimi në fytyrat e fëmijëve dhe pritja që po na bëjnë. Ka qenë edhe zotim i Qeverisë Haradinaj që të kompletojmë infrastrukturën shkollore dhe infrastrukturën përcjellëse, në mënyrë që nxënësit të kenë edhe pjesën rekreative, e cila është po aq e rëndësishme sa edhe ajo edukative. Me këtë angazhim të përbashkët dhe me një seriozitet dhe angazhim të pashoq të mësimdhënësve tanë, shkollës po i kthehet ngrohtësia dhe serioziteti”, ka thënë ministri Bytyqi.
Drejtori i shkollës, Mehdi Dodaj falënderoi ministrin Bytyqi për përkrahjen e fuqishme që të fillojnë punimet e fazës së dytë në këtë Sallë, e cila ka filluar të ndërtohet në vitin 2013 dhe punimet janë ndërprerë në mungesë të buxhetit komunal.
/Epoka e re/