Rifillon koncerti i Ramë Lahajt pas alarmit për bombë
Një alarm për bombë ka bërë që koncerti ku do të performojë Ramë Lahaj të shtyhet për disa minuta.
Koncerti, që po mbahet në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë, tani ka vazhduar. Të pranishmit ishin detyruar të dilnin jashtë deri sa policia kontrolloi vendin.
Rron Gjinovci ka treguar në një status në “Facebook”, se koncerti ka vazhduar, derisa ka ndarë edhe detaje nga shfaqja.
“Kërcënim me bombë! Rikthimi në sallë mas kontrollës së policisë, Ramë Rame Lahaj për me i mbështet emocionalisht kolegët e tij Erika Grimaldi, Leonardo Caimi dhe Menan Bërveniku, u ngjit nê skenë me nji befasi”, shkroi ai.
Alarmi për bombë është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
“Rreth orës 19:30 është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Kompleksin e Universitetit ‘Hasan Prishtina’ në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”, ka thënë zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.