Rijad Bytyqi, e ardhmja e portës së Kosovës

22 tetor 2019 | 12:50

16-vjeçari Rijad Bytyqi është një garanci për portën e U17-shave të Kosovës, kurse në të ardhmen edhe e Përfaqësueses A. Karriera e tij mori një hovë të jashtëzakonshëm që prej ndeshjeve kualifikuese për Evropianin “Estonia 2020”, ku së bashku me shokët e përfaqësueses dhe trajnerin Besnik Kollari e ndalën kampionen e Evropës, Holandën. Trajneri i “tulipanëve”, Mischa Visser, pas ndeshjes ka thënë: “Atij do t’i ndërtohet një statujë në Kosovë”. Kjo deklaratë e ka motivuar edhe me shumë Bytyqin që ta vazhdojë rrugëtimin drejt Përfaqësueses A dhe transferimin në një klub evropian.

Samir Ujkani, Arjanet Muriq dhe Visar Bekaj aktualisht janë tre portierët e parë në Përfaqësuesen A të Kosovës në futboll, por “Dardanët” duket se do ta kenë të sigurt portën edhe për shumë e shumë vjet të tjera. Në ardhje është një yll që ka filluar të lëshojë shkëndijat e para të cilat tregojnë se e ardhmja e tij është e sigurt në një klub të madh evropian. Fjala është për Rijad Bytyqin, që është pjesë e shkollës së futbollit “Roni 19” në kategorinë e juniorëve dhe e Përfaqësues së Kosovës U17. Bytyqi karrierën e ka nisur në ShF “Minatori” me trajner Gazmend Osmanin, ku edhe është zbuluar talenti i madh që ka për lojën e futbollit, konkretisht për pozitën e portierit.

Portieri i ri më pas kaloi në shkollën e futbollit “Roni 19”, me trajner ish-futbollistin e dëshmuar në futbollin e Kosovës dhe më gjerë, Faruk Statovcin. Rijadi për “Epokën e re” ka treguar se kushtet në klubin e tij janë shumë të mira për t’u zhvilluar si futbollist. “Që katër-pesë vjet jam pjesë e shkollës së futbollit ‘Roni19’ dhe gjithçka është duke shkuar shumë mirë. Kushtet janë shumë të mira, pasi kemi edhe fitnesin dhe transportin. Mendoj se ka hapësirë për t’u zhvilluar si futbollist”, ka thënë Bytyqi, i cili tashmë është 16-vjeçar.

Rrugëtimi i këtij djaloshi nuk ishte aspak i lehtë, por shumë i suksesshëm. Ai tregoi edhe për arritjen deri në Përfaqësuesen U17. “Më 5 tetor 20017 është mbajtur kampi nacional për lojtarët e Përfaqësueses U15. Atëkohë kam qenë 14-vjeçar dhe janë testuar qindra lojtarë dhe dhjetëra portierë, përfshirë edhe mua. Pjesë e kampit ishin të gjitha regjionet e Kosovës. Unë isha pjesë e regjionit të Prishtinës që kishte dy ekipe. Trajneri im ishte Artan Bytyqi. Në këtë kamp kam rënë në sytë e dy trajnerëve të Përfaqësueses U15, Gazmend Halitit dhe Isa Sadriut. Ata më kanë ftuar edhe në kampet e tjera dhe loja e parë e imja për Kosovën U15 ishte ndaj Shqipërisë më 3 maj. Kështu kemi vazhduar edhe në U16 e më pas në U17 me trajnerin Besnik Kollari”, ka thënë Rijadi.

Kulmi i deritashëm i suksesit për portierin Bytyqi ishte ndeshja e zhvilluar ditë më parë ndaj kampionëve aktualë të Evropës për grupmoshën U17 të Holandës. Kjo ishte ndeshja e parë në kualifikimet për Evropianin “Estonia 2020”, në kuadër të Grupit të 12-të, derisa përfundoi 1-1. Rijad Bytyqi në këtë 90 minutësh shkëlqeu ani pse pësoi një gol, Holandës ia mohoi edhe shumë të tjerë.

Trajneri i “tulipanëve”, Mischa Visser, pas ndeshjes, ka thënë se: “Atij do t’i ndërtohet një statujë në Kosovë”. Bytyqi ka thënë për gazetë se kjo deklaratë e trajnerit do të jetë një motiv më i madh që ta vazhdojë punën për ta arritur majën në futbollin botëror. “Loja me Holandën ka qenë shumë e vështirë, sepse kishim përballë një kombëtare që është vatër e talenteve të futbollit, me një akademi të jashtëzakonshme, ku luajnë lojtarë të Manchester Unitedit, PSV-së dhe të Ajaxit. Ne kemi menduar të zhvillojmë një lojë defensive për shkak se ta sulmosh një kombëtare të tillë mund të pranosh shumë gola. Jemi përgatitur me trajnerët për një lojë defensive dhe është dashur që në atë ndeshje të jemi të fokusuar për shkak se secili rast ka qenë më i rrezikshëm se tjetri. Faza defensive, por edhe unë është dashur të jemi shumë të koncentruar dhe në fund së bashku ia kemi arritur qëllimit. Deklaratat e trajnerit të tyre nuk i kam pritur, por performanca e mirë që kam pasur gjatë lojës më ka ndihmuar t’i marr ato dhe shumë lëvdata të tjera. Normalisht se ajo deklaratë me motivon të vazhdoj të punoj edhe më shumë për t’i arritur majat e futbollit dhe të tregoj se Kosova është vend i talenteve”, ka thënë Bytyqi.

Ofertat nga Superliga dhe ëndrra e madhe

Talenti i madh që ka portieri i ri, Rijad Bytyqi, ka rënë në sytë e shumë skuadrave në Kosovë. Ai ka treguar se ka pasur mjaft oferta, përfshirë edhe dy nga skuadrat e Superligës, por synimi i tij është Evropa. “Kam pasur oferta prej klubeve në Kosovë, nga Superliga dhe Liga e Parë. Kam pasur ofertë prej Llapit për kontratë profesionale, derisa më ka kërkuar edhe Ballkani për të luajtur si juniorë, por për të qenë edhe portier i tretë në ekipin e parë. Qëllimi im është të arrij në Përfaqësuesen A dhe të transferohem në Evropë”, ka thënë Bytyqi.

Skuadra e Barcelonës është ëndrra e madhe e 16-vjeçarit që beson se me punë të madhe mund t’ia arrijë realizimit të kësaj ëndrre.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pesë ndeshje miqësore të luajtura, pesë fitore për skuadrën e…