Rikthehen tensionet në Rripin e Gazës, vriten dhjetëra palestinezë
Palestinezët në Rripin e Gazës kanë marshuar drejt kufirit me Izraelin, në atë që shënon fillimin e marshimit protestues 6-javor.
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se shumë persona janë vrarë dhe se qindra të tjerë janë plagosur, nga të shtënat e izraelitëve.
Palestinezët kanë ngritur 5 kampe pranë kufirit për të protestuar, në të ashtuquajturin “Marshin e madh të rikthimit”.
Forcat izraelite të mbrojtjes thanë se janë grumbulluar rreth 17 mijë palestinezë në 5 pika të ndryshme përgjatë gardhit kufitar.
Ato shtuan gjithashtu se trupat e tyre janë “duke qëlluar vetëm nxitësit kryesorë” për të mundësuar shpërndarjen e trazirave, mes të cilave përfshihen edhe djegia e gomave apo hedhja e koktejeve të molotovit e gurëve ndaj rojave kufitare.
Megjithatë, forcat izraelite njoftojnë se “kanë përforcuar zonën përreth qytetit të Gazës”.
Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thanë se përpara nisjes së protestës së kësaj të premteje, një fermer 27-vjeçar, Omar Samur, ishte vrarë nga të shtënat e një tanku pranë Khan Junisit, e një tjetër ishte plagosur.