Rikthehet furnizimi me ujë në Deçan, “Hidrodrini” apelon të mos pihet
Kompania Rajonale e Ujësjellësit në rajonin e Dukagjinit, “Hidrodrini” ka njoftuar se ka kthyer furnizimin me ujë të pijes në fshatrat e Deçanit, ku qytetarë të shumtë dyshohet se u helmuan. Megjithatë, kjo ndërmarrje ka apeluar që ky ujë të mos pihet.
Që nga e shtuna mbi 1500 qytetarë nga fshatrat Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri kanë kërkuar trajtim shëndetësor që nga e shtuna.
Sipas KRU “Hidrodrinit”, analizat e bëra të këtij uji flasin se ai është brenda normave duke rezultuar në kufij të lejuar, sipas standardeve evropiane. “Ky fakt sa e qetëson gjendjen dhe e vënë në pah të vërtetën po aq edhe duhet ta rrisë përkushtimin dhe vëmendjen e autoriteteve respektive, qytetarëve, mediave dhe shoqërisë se çka tjetër mund të ketë ndikuar në shëndetin qytetarë. Përkundër se rezultatet e mostrave të ujit të nxjerra nga IKSHPK, kanë rezultuar në pajtim me kushtet dhe standardet e pijes dhe janë publikuar, KRU ‘Hidrodrini’ që nga çasti i parë e deri më sot ka vazhduar të mbajë të ndërprerë furnizimin me ujë për fshatrat në fjalë, kjo si masë siguruese e mëtejme. Sot, pas takimit të Shtabit Emergjent Komunal të Deçanit është vendosur që nga ora 13:00 të rikthehet furnizimi nga sistemi i ujësjellësit për zonën në fjalë. Përkundër këtij vendimi, të përbashkët të Shtabit Emergjent, KRU ‘Hidrodrini’, rekomandon që uji sërish, mos të përdoret për pije, por vetëm për nevoja sanitare dhe higjienike, deri në një vendim të ardhshëm”, thuhet në njoftim.