Rikthehet futbolli

17 gusht 2019 | 09:49

Edicioni i ri i Superligës në futboll starton sot (e shtunë), kurse do të jetë ndër më interesantit. Përforcimet e shumta nga klubet elitare, dalja e tri skuadrave nga sezoni i ri në Evropë dhe rënia nga elita e katër skuadrave kanë bërë që pritshmeritë për një kampionat cilësor të jenë të mëdha.

Edicioni i ri futbollistik 2019/2020 në elitën e futbollit të Kosovës fillon sot (e shtunë). Sipas orarit të publikuar nga Federata e Futbollit sot zhvillohen tri ndeshjet e para, derisa tri të tjerat zhvillohen të dielën.

Edicioni i ri pritet të jetë shumë interesant pasi skuadrat kanë bërë mbi 100 përforcime dhe lufta për të dalë në Evropë do të jetë e madhe, por edhe lufta për mbijetesë. Nga elita do të largohen katër klube dhe kjo e bënë edhe më të fortë dhe interesant kampionatin. Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka shprehur besimin se ky kampionat do të jetë shumë interesant për faktin se FFK-ja ka bërë shumë reforma.

“Në kuadër të strategjisë së re të FFK-së sivjet do të fillojmë me platformën digjitale të garave, duke u bërë kësisoj federata e parë në regjion që e zbaton një platformë të tillë. Kemi vendosur edhe për reformimin e ligave tona. Si rrjedhojë, në fund të këtij kampionati katër skuadrat me bilancin më të dobët do të përshëndeten nga shoqëria elitare, derisa nga Liga e Parë do të ngjiten dy skuadra, duke pasur parasysh faktin se nga edicioni garues 2020/21 Superliga do të përbëhet nga 10 klube. E veçanta tjetër e këtij edicioni është se tashmë vendi ynë do të përfaqësohet me tri klube në garat evropiane, gjë e cila pa dyshim do ta rrisë edhe më shumë rivalitetin dhe garën për kreun e renditjes”, ka thënë Ademi. “Ne, si FFK, i kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura për një kampionat të mirëfilltë, gjyqtarët e delegatët i kanë kryer me sukses normat fizike, përkatësisht seminaret për zbatimin e rregullave të reja të futbollit, prandaj tani nuk mbetet asgjë tjetër veçse t’u japim hapësirë futbollistëve që ta rrokullisin topin në fushën e gjelbër dhe të urojmë që gjithmonë të fitojë më i miri”, ka shtuar ai. Kryetari i FFK-së është zotuar se për të gjithë të përfshirët në futboll do të ketë zero tolerancë ndaj çdo dukurie negative që e dëmtojnë imazhin e futbollit dhe të shtetit.

Para fillimit të edicionit të ri ka folur edhe trajneri i njohur në Kosovë, Bylbyl Sokoli. “Profa” ka parashikuar një kampionat interesant ku gjashtë skuadra do të luftojnë për titull, por sipas tij edhe gara për mbijetesë do të jetë e fuqishme. “Lufta për ekzistencë dhe lufta për dalje në Evropë do të jetë me një konkurrencë mjaft e fuqishme. Dihet që tashmë nga rangu largohen katër ekipe drejtpërdrejt. Kandidatët për titullin i kisha ndarë me këtë renditje: Feronikelin, Prishtinën, Dritën, pastaj Gjilanin, Ballkanin dhe Llapin”, ka deklaruar Sokoli. Ndërsa dymbëdhjetë klubet e Superligës kanë bërë me dije se janë gati për kampionatin e ri. Feronikeli si kampion në fuqi dhe fitues i Kupës, garën për të mbrojtur trofeun e më të mirit e nisë sot ndaj rivalëve të Drenicës, derisa nënkampionia e Kosovës, Prishtina do të zhvillojë derbin e kryeqytetit ndaj Flamurtarit.

IPKO Superliga

Të shtunën takohen:

17:00 Feronikeli – Drenica
17:00 Flamurtari – Prishtina
17:00 Llapi – Vushtrria

Të dielën takohen:
17:00 Drita – Ferizaj
17:00 Trepça’89 – Gjilani
17:00 Dukagjini – Ballkani

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe pse ende nuk është shpërndarë Kuvendi dhe nuk janë…