Rikthehet futbolli, sot zhvillohen dy ndeshje
Superliga e futbollit të Kosovës rikthehet pas një pushimi për ta filluar edicionin 2024/2025 me dy ndeshje mjaft interesante.
Nga ora 17:00 zhvillohet ndeshja në mes të Llapit dhe Gjilanit në stadiumin “Zahi Pajaziti”.
Këto dy klube me ndryshimet e bëra kanë synime të mëdha në edicionin e ri futbollistik dhe fillimi i mbarë me fitore do të thotë shumë për ecurinë e garave.
Ndeshja tjetër është ajo në mes të Ferizajt dhe Feronikelit, klube këto që kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për stinorin që fillon sot. Nesër (e diel) zhvillohen dy ndeshje të tjera.
Kampioni në fuqi, Ballkani, e nis rrugëtimin për mbrojtjen e titullit me përballjen ndaj Dukagjinit nga Klina. Skuadra nga Suhareka e ka humbur ndeshjen në rrethin e tretë në Ligën e Konferencës nga Larna, me rezultat 0-1. Kampionët e Kosovës pësuan gol në minutat e fundit dhe kualifikimi tutje do të jetë mjaft i vështirë për faktin se luan si mysafir. Në anën tjetër, Dukagjini ka bërë shumë ndryshime, përfshirë edhe shtabin teknik, ku skuadrën tash e drejtonin Ismet Munishi në vend të Armend Dallkut, dhe në këtë kampionat ka synime edhe më të mëdha sesa në kampionatet e kaluara.
Nga ora 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, Prishtina e pret Suharekën që luan për herë të parë në Superligë. Kryeqytetasit kanë bërë shumë ndryshime si në radhët e futbollistëve ashtu edhe në shtabin teknik dhe pritet të shihet se si do ta nisin kampionatin. Mjaft interesante do të jetë se si do të luajë ndeshjen e parë në elitë klubi i dytë nga qyteti i Suharekës.
Ndeshja e pestë që është paraparë të zhvillohet në mes të Dritës dhe Malishevës është shtyrë. Kjo ka ardhur me kërkesën e klubit gjilanas që është i angazhuar në Ligën e Konferencës. Drita ndeshjen e parë e humbi në Letoni nga Auda (1-0).
SUPERLIGA – Java e parë
Të shtunën takohen:
17:00 KF Llapi – SC Gjilani
17:00 Ferizaj – Feronikeli 74
Të dielën takohen:
17:00 Ballkani – Dukagjini
19:00 Prishtina – Suhareka
Drita – Malisheva (shtyhet)
/Epoka e re/