![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/real.jpg)
Rikthehet Ligën e Kampionëve, sonte përballja City – Real
Liga e Kampionëve do të rikthehet sonte me ndeshjet e fazës së “play-off”-it.
16 ekipet e renditura nga vendi i nëntë deri në atë të 24-t do të përballen mes vete në sistem vajtje-ardhje për t’iu bashkuar tetë ekipeve të para që tashmë e kanë siguruar të tetën e finales përmes fazës së ligës.
Pa dyshim, dueli kryesor i natës do të jetë ai mes Manchester Cityt dhe Real Madridit, që konsiderohet edhe si ndeshja kryesore e “play-off”-it, shkruan “Gazeta Express”.
Këto dy ekipe janë përballur shpesh në vitet e fundit dhe spektakli gjithmonë ka qenë i garantuar.
City dhe Reali do t’i hyjnë kësaj loje me probleme të ndryshme.
“Citizens” e kanë problemin e formës së zbehtë që e kanë shfaqur sivjet dhe si rezultat mezi hynë në Top-24.
Nga ana tjetër, kampionët spanjollë e evropianë po përballen me lëndime të shumta.
Trajneri Carlo Ancelotti nuk do të mundë të llogarisë në lojtarët e rëndësishëm si Eder Militao, Dani Carvajal, David Alaba, Antonio Rudiger dhe Lucas Vazquez.
Sidoqoftë, “Don Carlo” do të mundohet ta ndërtojë një ekip solid përmes së cilit do t’i kundërvihet ekipit vendës.
Shpresat më të mëdha të madrilenëve janë tek Kylian Mbappe, i cili është duke shfaqur formë të jashtëzakonshme në vitin 2025.
Në anën tjetër, trajneri Pep Guardiola do të tentojë ta godasë pikën e dobët të madrilenëve, atë të mbrojtjes, duke shpresuar që Erling Haaland do të këndellet dhe do t’ia “shpëtojë kokën” spanjollit.
Ndeshja mes Manchester Cityt dhe Real Madridit do të luhet sonte në “Etihad Stadium”. Ndërsa, ndeshja e kthimit do të zhvillohet pas një jave në stadiumin “Santiago Bernabeu”, kur edhe do të dihet ekipi që do të kualifikohet tutje. Tri prej katër ndeshjeve të sontme do të nisin prej orës 21:00.
Sonte do të luajnë edhe Brest – Paris Saint-Germain, Juventus – PSV Eindhoven dhe Sporting Lisbona – Borussia Dortmund.
Ndërkaq, nesër mbrëma do të luhen katër ndeshje të tjera të fazës së “play-off”-it.