Rikthehet Majlinda
Majlinda Kelmendin do ta shohim në gara këtë fundjavë, pas 14 muajsh pauze, shkaku i lëndimit të pësuar në Kampionatin Botëror Budapest 2017, të mbajtur në fund të muajit gusht të vitit të kaluar.
Kampionia Olimpike nga Lojërat Olimpike Rio 2016, do të garojë në Grand Slamin e xhudos Abu Dhabi, të Emirateve të Bashkuara Arabe, që mbahet prej 27 – 29 tetor. Në Abu Dhabi, Majlinda kishte fituar medaljen e artë në vitet 2011, 2012 dhe 2014, ndërsa në 2015 fitoi të bronztën.
Trajneri i Majlindës, Driton Kuka, është i lumtur që kampionia jonë po kthehet në gara.
“Po, Majlinda do të kthehet këtë javë në gara, pas një pauze të gjatë. Sa i përket medaljes është pauzë e gjatë dhe nuk e di se si ka ndikuar”, ka thënë Kuka për “noc-kosovo.org”.
Krahas Majlindës, që garon në kategorinë -52 kilogramë në Abu Dhabi, që vlen për pikë Olimpike Tokyo 2020, vendin tonë e përfaqësojnë edhe kampionia e Evropës në kategorinë deri 57 kilogramë, Nora Gjakova, Distria Krasniqi (-48 kg.) dhe Akil Gjakova (-73 kg.)
Majlinda, Nora dhe Distria do të garojnë të shtunën, ndërsa Akili të dielën.
Iu urojmë fat dhe shumë suksese garuesve tanë në rrugën drejt medaljeve dhe pikëve për normën Olimpike Tokyo 2020.