Rikthehet Rashica, Kosova synon fitore edhe ndaj Greqisë
Tri ditë më parë Kosova ia doli të marrë fitoren e parë në grup, në eliminatoret e Kupës së Botës Katar 2022, pasi triumfoi me rezultatin minimal 0-1 ndaj Gjeorgjisë në një sfidë ku trajneri Bernard Challandes komplimentoi të tijtë për shpirtin e grupit që treguan në fushë.
Mbrëmjen e sotme “Dardanët” do të kërkojnë një tjetër sukses, këtë herë në “Fadil Vokrri” në derbin ballkanik ndaj Greqisë, teksa futbollistët do të ketë mundësi të ndjejnë sërish përkrahjen e publikut në shkallët e stadiumit, ndonëse në një numër të vogël, vetëm 10% e kapacitetit.
Në një grup me Suedinë e Spanjën dhe me këta të fundit që kanë komplikuar rrugëtimin, shanset e Kosovës për të pretenduar kualifikimin janë minimale, megjithatë “Dardanët” janë gati të dhurojnë një tjetër provë force e karakteri, për të blinduar pozitat në vendin e tretë të renditjes.
Për sfidën ndaj Greqisë trajneri Bernard Challandes pritet të hedhë në fushë të njëjtët futbollistë me të cilët fitoi në Tbilisi tri ditë më parë, teksa ndryshimi i vetëm do të jetë në repartin e sulmit, ku rikthimi i Milot Rashicës në formacion, do të dërgojë në pankinë futbollistin e Clermont, Elbasan Rashani.
Përballja Kosovë-Greqi do të startojë në orën 20:45 në “Fadil Vokrri” dhe do të transmetohet ekskluzivisht në ekranin e Supersport 3, ku nuk do të mungojnë as komentet e intervistat ekskluzive në përfundim të ndeshjes.