Rikthehet Superliga, vëmendja tek Malisheva – Drita
Pas pushimit për shkak të ndeshjeve të Kombëtareve, këtë vikend rikthehet Superliga me xhiron e 27-të. Këtë javë na presin dy ndeshje shumë interesante. Malisheva-Drita, do të jetë njëra prej tyre.
Vetëm tre pikë është dallimi mes dy skuadrave, me të kaltrit nga Gjilani që janë të tretit me 50 pikë, një pozitë më poshtë Malisheva. Në pesë sfidat e fundit, Malisheva ka katër fitore e një humbje, bilanc më të mirë se Drita që ka tri fitore, një barazim e një humbje.
Sfida tjetër derbi është mes Prishtinës e Ballkanit. Ekipi nga Suhareka është lider i tabelës me 52 pikë, derisa kryeqytetasit të pestit me 38 sosh.
Në pesë sfidat e fundit, të dy ekipet kanë marr nga tetë pikë. Ekipi i dytë i tabelës, Llapi do të dueloj me Lirinë dhe shihet favorit në letër për fitore.
Në dy xhirot e fundit, llapjanët nuk kanë arritur fitore, derisa prizrenasit kanë katër humbje radhazi.
Gjilani-Dukagjini, një tjetër sfidë që na pret në vikend. Ndonëse janë afër me pozita, klinasit të gjashtit, e gjilanasit të shtatit, diferenca e pikëve është plot tetë pikë. Vetëm nga një fitore për të dy ekipet në pesë ndeshjet e fundit kampionale. Ballafaqimi i fundit do të jetë mes Feronikelit 74 e Fushë Kosovës.
Pas dy humbjeve radhazi, Nikli kërkon këndelljen, por ka përballë Fushë Kosovën që javën e fundit ka ngritje të formës, nuk kanë humbje në pesë takimet e fundit, me bilanc dy fitore e tri barazime. Në tabelë, Nikli është i teti me 26 pikë, gjashtë më shumë se Fushë Kosova e nënta.