Rikthimi në gjeopolitikë
Shkruan: Fatmir Arifi
Çdo gjë që ndodh në botën e sotme, nga komuniteti i ekspertëve po përkufizohet si një krizë e sistemit politik ndërkombëtar. Natyrisht, ndryshimet janë të konsiderueshme në nivel global që nga rënia e ekonomisë, shtrirja e terrorizmit, krijimi i shteteve të reja dhe jostabile e deri te dështimi i një sërë shtetesh e kështu me radhë. Këto ndryshime kanë prekur dhe sjellë impakt të konsiderueshëm si kriza botërore e në mënyrë të veçantë: si kriza politike ndërkombëtare, kriza të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, kriza diplomatike, pse jo shpeshherë të interpretuara edhe si kriza të civilizimeve.
Por, gjithë kjo dinamikë globale nuk është si pasojë e krizës së sistemit ndërkombëtar. Nëse i referohemi nocionit “sistem”, atëherë si quhet sistemi ndërkombëtar në të cilin jemi aktualisht?
Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare njeh katër sisteme ndërkombëtare: sistemin e Vestfalisë, Koncertin e Evropës, Sistemin e Versajës dhe atë të bipolaritetit të Luftës së Ftohtë. Pas shpërbërjes së këtij të fundit, bota është në anarki totale dhe praktikisht pa sistem ndërkombëtar. Prandaj edhe turbulencat e sotme në politikën globale, nuk janë si pasojë e krizës së sistemit, por si pasojë e mungesës së sistemit ndërkombëtar.
Është krejtësisht e natyrshme që ndokush nga komuniteti i ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare ta keqinterpretojë nocionin “sistem”, meqenëse shpeshherë ata i janë referuar Organizatës së Kombeve të Bashkuara si sistem ndërkombëtar. Mirëpo, e vërteta logjike është se OKB është dizajnuar, jo si sistem ndërkombëtar, por si mekanizëm i sistemit ndërkombëtar, përkundër asaj se edhe si e tillë asnjëherë nuk kanë qenë një ilustrim i përsosur në rolin e saj.
Në qoftë se epoka, në të cilën po jetojmë aktualisht, në histori ka ndonjë funksion përcaktues, ai funksion me siguri është konfuzioni i përhapur në lidhje me atë se si ta përkufizojmë politikën bashkëkohore globale dhe prirjet e saj në të ardhmen.
Arsyeja është thjesht pa asnjë lloj dilemë. Ne, sot jetojmë në një botë krejtësisht të paparë dhe pa rregulla. Në këtë botë të paparë është vështirë që të thirremi në ndonjë gjë. Përderisa ne nuk e dimë se çfarë është ajo gjë, atëherë si ta quajmë ndryshe? Duke e shtruar analizën nga ky këndvështrim, këtë gjendje do ta quanim rikthim në gjepolitikë.
Gjeopolitika si vizion ishte dominant në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX dhe ishte e formuluar mbi një sërë besimesh nga elitat akademike dhe politike të fuqive të mëdha të asaj periudhe kohore.
Prapa këtij koncepti qëndronte logjika e dominimit gjeografik, e që në fakt barte në vete kundërshtime në mes të fuqive të mëdha. Çdo fuqi e madhe aspironte për kontrollin mbi territore të caktuara gjeografike, të cilat për një arsye apo një tjetër kishin rëndësi të veçantë.
Duhet ta theksojmë se gjepolitika, si vizion dhe si strategji, nuk mund të vihet në zbatim në çdo rajon. Gjepolitika synon rajonet e caktuara që për nga burimet natyrore janë të pasura dhe për nga shtrirja gjeografike janë të rëndësishme, por gjithsesi njëkohësisht të brishta në sistemin e qeverisjes. Në vendet me zhvillim të lartë ekonomik, vizioni gjepolitik nuk mund të jetë i zbatueshëm. Prandaj edhe logjika e dominimit gjeografik kur kombinohet me ideologji të caktuar, sjell në pah gjopolitikën.
Trekëndëshi i paqëndrueshmërisë globale
Aktualisht, në sferën globale kemi tri rajone, që për nga rëndësia bartin këtë përbërje: Azia Qendrore, Lindja e Mesme dhe Ballkani, të cilat përbëjnë trekëndëshin e paqëndrueshmërisë globale.
Azia Qendrore, ku bën pjesë edhe Kaukazi, është bërë një nga rajonet më të paqëndrueshme në sistemin ndërkombëtar. Strukturat politike shtetërore janë shumë të brishta, duke përfshirë këtu një seri konfliktesh të ngrira si rrjedhojë e shpërbërjes së BRSS-së. Përveç tjerash, ky rajon ndodhet në një zonë ku takohet civilizimi i krishterë me atë islam, të cilët kanë qenë historikisht burim i rivaliteteve dhe i fërkimeve në mes të komuniteteve dhe shteteve të ndryshme. Karakteristikë tjetër e Kaukazit është diversiteti etnik, gjuhësor dhe kulturor. Si i tillë, ky rajon është shndërruar në një nga rajonë6et më komplekse në botë për sa i përket çështjeve etnike. Gjithashtu, ky rajon përballet edhe me interesat gjeo-ekonomike të lidhura me burimet e hidrokarbureve. Baseni i Kaspikut po shton rivalitetet mes fuqive të ndryshme, të cilat po konkurojnë për t’i dominuar burimet e pasura të naftës dhe gazit natyror;
Lindja e Mesme është zona me krizën e së cilës shumë breza njerëzish janë lindur dhe janë formuar, duke dëgjuar e parë në mediume për të. Kriza në Lindjen e Mesme është një nga më të mëdhatë dhe më komplekset në historinë moderne të njerëzimit. Duhet ta theksojmë se asnjë krizë nuk lind me dimensione të mëdha, po qe se nuk ka një të kaluar historike me një sërë shkaqesh brenda saj. Në rast se këtij rajoni ia bëjmë një analizë nga perspektiva gjeo-kulturore, Lindja e Mesme, që nga shpikja e shkrimit e deri më sot ka përbërë udhëkryqin më të rëndësishëm në përhapjen e qytetërimeve të zhvilluara, dhe aktualisht është zona ku takohet Lindja dhe Perëndimi. Në rast se e analizojmë nga perspektiva gjepolitike, zona është e ndikuar nga ekuilibrat rajonalë, por në papërpurthshmëri me gjeografinë fizike, e cila është e mbështetur në teza historike de fakto dhe në përkufizime politike de jure, me ç’rast ka prodhuar kontradikta të thella në mes shteteve të Lindjes së Mesme. Në rast se e bëjmë një analizë nga perspektiva dhe dimenisioni gjeostrategjik, pozita e Lindjes së Mesme është jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi që ndodhet aty ku takohen tri kontinente: Evropa, Azia dhe Afrika.
Dhe së fundmi, në rast se e analizojmë nga dimensioni gjeo-ekonomik, zona është pikëkryqëzimi i rrugëve të komunikacionit ujor, por në të njejtën kohë dhe zona më e pasur me lëndë të hidrokarbureve.
Për sa i përket Ballkanit si njëri nga brinjët e këtij trekëndëshi të paqëndrueshmërisë globale, ai është i shtrirë në linjat e tri ish perandorive të dikurshme dhe laget nga ujërat e Detit të Zi dhe të Mesdheut. Ballkani historikisht ka qenë rajon i përplasjeve gjeopolitike si për nga rivalitetet e brendshme, ashtu dhe për nga influencat e jashtme. Gjatë epokës së Luftës së Ftohtë, Ballkani ishte si një lloj zone tamponi në marrëdhëniet midis dy blloqeve. Dy aleancat ushtarake, NATO dhe Pakti i Varshavës, duke ruajtur ekuilibrin në hapësirën evropiane, siguruan një stabilitet të përkohshëm në Ballkanin Perëndimor. Ishte e kuptueshmë se në rast të ndërhyrjes së njërës palë në njërën nga sferat e ndikimit, parimi i ekuilibrit strategjik nuk do të lejonte qëndrimin menjanë të palës tjetër.
Kështu që, në kontekst të asaj që u tha më lartë, dinamikat globale që po ndodhin sot në politikën botërore mund të shpjegohen vetëm nga prizmi gjeopolitik, me synimin për të dominuar hapësirën gjeografike para se të formësohej një rend i ri botëror.
Në këtë kuadër duhet shikuar edhe aneksimi i pa precedent nga Federata Ruse në Gjeorgji, Ukrainë dhe së fundi ndërhyrja e saj në Siri. Federata Ruse, përmes Gjeorgjisë, Ukrainës dhe së fundmi ndërhyrja në Siri, po synon të ri-konfigurojë peisazhin global përpara se të ulet në tavolinën e Rendit të Ri Botëror. Duhet theksuar se këto rajone janë ndër rajonet më vitale të planetit Tokë. Gjeorgjia bën pjesë në hapësirën e përqëndrimit të fuqisë tokësore nga njëra anë dhe nga ana tjetër është vija kalimtare ku intesifikohen konkurencat e fuqive tokësore dhe detare.
Sa i përket aneksimit të Krimesë, Federata Ruse synon ta rikthejë ndikimin në Evropën Lindore dhe ta dominojë tërësisht Detin e Zi. Nuk duhet të harrojmë se në periudha të ndryshme historike, Ukraina ka luajtur një rol të rëndësishëm në ekuilibrin në mes të Perandorisë Osmane – ruse dhe asaj polake. Për më tepër, Ukraina ishte faktori kryesor që i ka nxjerrë rusët nga gjendja e një popullate të panjohur të Detit të Veriut duke i bërë në fillim si shtet kontinental e më vonë edhe si fuqi botërore, duke u mundësuar që përmes Ukrainës të marrin pjesë si në Evropën Lindore e në Detin e Zi.
Objektivi i Rusisë në Ballkan është që përmes aleancave tradicionale sllavo-ortodokse të pengojë sa të mundet e aty ku ka mundësi, zgjerimin e infrastrukturës euro-aëtlantike dhe ndërkohë ta ruajë mjaftueshëm pozicionin e saj në zbatimin e projekteve strategjike të infrasturkutës energjetike. Është fakt i kryer tani më që Rusia ka pasur sukses në blerjen e aseteve si rafineri nafte në Bullgari e Rumani dhe një rrjet të gjerë të shpërndarjes së energjisë në Ballkan. Rusia po negocion për më shumë blerje në Rumani, Bullgari, Serbi, Maqedoni dhe Bosnjë e Hercegovinë. Ajo po zgjeron rrugët e transportit të energjisë nëpër Ballkan, Baltik dhe në Evropën Lindore. Kjo tregon se energjetika ka pushuar së qeni çështje ekonomike dhe ajo po bëhet kaq e rëndësishme strategjikisht, sa që nuk mund të kufizohet të jetë kompetencë vetëm e ministrave të ekonomisë. Ajo është shndërruar në pjesë të tërësisë së strategjisë së sigurisë kombëtare të një shteti dhe në prioritet të interesit kombëtar.
Me ndërhyrjen në Siri, Federata Ruse po implementon politikat e zbritjes në detëra të ngrohtë me synim udhëkryqin botëror të trafikut detar siç është Mesdheu. Pra, ky është një projekt ambicioz i Federatës Ruse, i cili është bërë dominant në të menduarit e strategjisë së politikës së jashtme me synim për ta ri-kthyer Rusinë në një perandori të dikurshme. Kjo ambicje duhet të jetë një alarm për të zgjuar diplomacinë perëndimore, e cila prej kohësh e ka sygjestionuar veten se me shembjen komunizmit kemi arritur në fund të historisë dhe tani e tutje paqja qiellore do të dominojë në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Sjelljet e Federatës Ruse janë një mesazh i qartë për reflektim politik, diplomatik dhe strategjik, të qeverive dhe të shteteve në të gjitha rajonet evropiane, peëfshirë edhe Ballkanin përderisa marrëdhëniet e saj po i zhvillon në përputhje me logjikën e një lufte të re të ftohtë e cila shumë lehtë mund të kthehet në një luftë të nxehtë. Rivalitetet gjeopolitike dhe gjeostartegjike bartin në vete kundërthënie të mëdha që historikisht kanë qenë kombinim shpërthyes në mes fuqive të mëdha. Andaj dhe është mëse e domosdoshme që SHBA-të të rishqyrtojnë politikën e saj të jashtme dhe marrëdhëiet me disa nga fuqitë e saj aleate. Aksi i mundshëm i konfrontimit SHBA-Rusi padyshim që do të jetë Azia Qëndrore dhe Jugore, Lindja e Mesme dhe Ballkani. Në këtë kuadër, hapësira shqiptare nuk mund të jetë e paprekur dhe e përjashtuar.