
Rikuperohet Boris Johnson pas 3 netësh në terapi intensive
Kryeministri britanik Boris Johnson po rikuperon energjitë pas tre netësh të kaluara në terapi intensive, pas rëndimit të simptomave të COVID-19. Përkeqësimi i gjendjes së liderit 55-vjeçar tronditi vendin, por tashmë duket se ai i ka hyrë rrugës së përmirësimit.
“Tani duhet të qetësohet”, tha babai i tij, Stenli Johnson për radion e BBC, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe duke u bërë thirrje atyre që të nxjerrin mësim. “Nëse virusi prek një kryeministër, të jeni të sigurt se ai vjen edhe në shtëpitë tuaja”, tha Johnson i vjetër.
Kreu i qeverisë britanike ishte i pari lider që u shtrua në spital me coronavirus, që e detyroi atë t’ia dorëzonte kontrollin e ekzekutivit ministrit të Jashtëm, Dominik Reeb në një kohë kur situata në Mbretërinë e Bashkuar po përkeqësohet.
Vetë Dauning Strit konfirmoi se Johnson është në fazat e para të rikuperimit, por nuk ishte në gjendje të thoshte se kur ai do të mund të kthehet në detyrë. Përmirësimi i tij gëzoi britanikët dhe jo vetëm, me presidentin Donald Trump që e cilësoi një “lajm fantastik”.
Ndërkohë, qytetarëve britanikë u është thënë të shmangin lëvizjet gjatë periudhës së Pashkës, pasi epidemia e coronavirusit po i afrohet pikut.
Bilanci i vdekjeve në Britaninë e Madhe është 7 mijë e 978 persona, niveli i pestë më i lartë në botë.