
Rilind Gërvalla emërohet drejtor i RTK-së
Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTL) në mbledhjen e sotme me tetë vota për dhe asnjë kundër, ka miratuar rekomandimin e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj për emërimin e Rilind Gërvalla në pozitën e drejtorit të kanalit shqip të RTK-së (RTK1, 3 dhe 4).
Në mbledhjen e sotme bordi ka diskutuar edhe për zhvillime të tjera në RTK.
Pas emërimit, Rilind Gërvalla ka reaguar në profilin e vet në “Facebook”. Ai ka thënë se ka 23 vjet përvojë në RTK dhe se është hera e pestë radhazi që konkurron për këtë pozitë.
“Pas një maratone prej 23 vitesh në Radio Televizionin e Kosovës si gazetar, drejtues redaksie i lajmeve ndërkombëtare dhe këmbimit të lajmeve në ndërlidhje të RTK-së me organizatat dhe televizionet publike evropiane, sot pas 5 herë radhazi konkurrimi të njëpasnjëshëm, u zgjodha Drejtor i Televizionit të RTK-së”, ka shkruar Gërvalla.
Gërvalla është duke u cilësuar si aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet dhe ka zëra që televizioni publik tashmë është i kapur.