“Rilindja” e Norvegjisë i bashkëngjitet protestës kundër shfajësimit të Serbisë për gjenocidin në Kosovë

27 korrik 2024 | 09:57

Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, shoqata kulturore shqiptare “Rilindja” si dhe radio “Rilindja” me seli në Oslo të Norvegjisë, kanë bërë të ditur se i bashkëngjiten protestës lidhur me vendimet e gjykatave vendore, të cilat e shfajësojnë Serbinë për krimin e gjenocidit që e ka kryer kundër popullatës shqiptare në Kosovë, gjatë viteve 1998 dhe 1999.

Më 12 korrik 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë, dënoi me 15 vjet burg Muharrem Alidemajn për pjesëmarrje në krime lufte gjatë vitit 1999 për vrasjen e mbi njëqind shqiptarëve, në fshatin Izbicë të komunës së Skenderajt.

Më 17 korrik 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë, dënoi me 12 vjet burg Ekrem Bajroviqin, për pjesëmarrje në krime lufte të vrasjes së 16 shqiptarëve dhe keqtrajtimit të 84 shqiptarëve të tjerë, në komunën e Istogut.
Duke i kualifikuar si krime lufte, aktet gjenocidale që kanë kryer forcat serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, gjykatat themelore të Kosovës shfajësojnë Serbinë për krimin e gjenocidit që ka kryer gjatë luftës 1998-1999.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë Hapur” që është nismëtare e kësaj proteste, falënderon shoqatën “Rilindja” si dhe radio “Rilindja” për bashkëngjitje në protestë, duke u bërë kështu zë i viktimave të gjenocidit të cilin e kanë kryer forcat serbe në Kosovë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, dha dorëheqje të…