Rilindja kombëtare dhe Rexhep Voka
Prof. dr. Emin Kabashi
Një vepër studimore që e nderon shkencën e albanologjisë – (Vebi Bexheti, “Magjia e fjalës poetike”, Tetovë, 2018)
Drini në poezinë e Martin Camajt, është i pranishëm, si figurë stilistike, por edhe si mit, edhe kur i këndon shotë Galicës, edhe kur i këndon mjellmës dhe nuses.
Me temën e Drinit të Zi dhe të Drinit të Bardhë në poezinë shqipe, autori ka analizuar edhe poezinë e Ali Podrimës. Është i veçantë shqyrtimi që i bën poezisë Atdheu i mbërthyer në arkë, që ia kushton Martin Camajt. Përveç të tjerësh, vargjet përmbyllëse, dëshmojnë për një kuptim të veçantë të dhembjes së copëtimit të atdheut: “vë veshin pastaj dhe dëgjon trokun/mes Drinit të Bardhë e të Zi/që vetëm ti e kupton”.
Autori i veprës studimore, Magjia e fjalës poetike, Vebi Bexheti, ka shqyrtuar edhe poezi të krijuesve të tjerë, në poezinë e të cilëve figura e Drinit të Bardhë dhe e Drinit të Zi është e pranishme, jo vetëm si shprehje poetike, por herë si figurë e mendimit, herë tjetër si figurë stilistike, herë më të shpeshta, si figurë mitike.
Ndër poetët që kanë pasur motiv Lumin Drin, janë edhe Xhevahir Spahiu, Agim Vinca, Koçi Petriti, Enver Gjerqeku, Fatos Arapi, e krijues të tjerë. Kurse që në vitin 1909, Josif Bageri, i mëson shqiptarët që ta marrin mësim bashkimin e Drinit të Zi dhe Drinit të Bardhë, që të jenë bashkë për të qenë të lirë.
Praninë së Lumit Drin, autori i këtij studimi, e ka shqyrtuar edhe në poezinë popullore, si një vlerë që i ka përballuar kohës dhe shijeve të lexuesve.
Një studim me interes të veçantë, në këtë vepër studimore, është ai që i kushtohet një rilindësi pak të njohur në të gjitha hapësirat shqiptare, si dhe në të gjitha nivelet e dijes sonë intelektuale shqiptare. E tillë është, edhe sipas autorit, figura e rilindësit Rexhep Voka.
Duke e vënë në qarkun e krijuesve rilindës, jo vetëm për moshën dhe kohën kur ka jetuar dhe ka krijuar, studiuesi Vebi Bexheti, e dëshmon me fakte vlerën kombëtare të veprës dhe dijes së Rexhep Vokës, pa marrë parasysh se në cilën gjuhë i ka shkruar, dhe me cilin alfabet ka shkruar.
Ai, Rexhep Voka, si pjesa më e madhe e rilindësve tanë, ishte mësues i popullit, ishte predikues i fesë, duke e përkufizuar qartë, se pa atdhe, nuk ka as fe, ishte edukator dhe filozof.
Pra, ishte krijues, vepra e të cilit i takon frymës së Rilindjes sonë Kombëtar. Këtë aspekt të jetës dhe të veprës së Rexhep Vokës, studiuesi Vebi Bexheti e ka zbërthyer bindshëm në studimin e tij.
Çamëria e poezisë shqipe dhe Çamëria e realitetit historik
Çamëria është një plagë kombëtare që kullon gjak edhe sot. Ky është përkufizimi i parë që bën autori i këtij studimi. Çamëria, si pjesë e gjeografisë kombëtare, në poezinë shqipe, të aq shumë krijuesve shqiptarë, ka ardhur edhe si dhembje e pashërueshme, ka ardhur edhe si motiv biblik e mitik, ka ardhur edhe si dashuri e parealizuar, por ka ardhur edhe si shpresë për një të ardhme më të mirë.
Shqyrtimin analizues të pranisë së Çamërisë në poezinë shqipe, studiuesi e fillon me veprën madhore të Naim Frashërit, Bagëti e bujqësia, në të cilën, duke prekur tërësinë e gjeografisë së asaj kohe, të cilën Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 1913, e përgjysmoi, studiuesi ka sjellë në vëmendjen e lexuesit, emërtimet e qyteteve shqiptare që ka zënë në gojë poeti ynë kombëtar, Naim Frashëri: A mos vjen nga Shqipëria? Apo vjen prej Çamërije? Ndërsa qytetet, ku janë edhe qytetet e Çamërisë, i radhit: “Kostur, Përlep, Follorinë, Dibrë, Ipek e Jakovën /Mat’ e Ysqyp e Preshtinë, dhe Mërdit’ e Tetovën”/.
Pas tragjedisë të tërësisë së gjeografisë shqiptare, poeti i madh shqiptar, Gjergj Fishta, edhe me poezinë e tij, ka ngritur zërin kundër kësaj padrejtësie historike që bënin Fuqitë e Mëdha të Evropës, duke e ftuar popullin, pra shqiptarët që të marrin armët dhe të mbrojnë tokat e tyre. Në poezinë që ka shqyrtuar studiuesi Vebi Bexheti, Fishta përmend emrat e pjesëve të atdheut, emrat e qyteteve të tokave shqiptare, që u janë dhënë fqinjëve tanë, sidomos në poezinë me titull “Çohi të vdekur”.
Në vitin 1941, Asdreni ynë kishte shkruar një poezi me titull “Shqipëria e madhe”, që nuk përkonte me ideologjitë e kohës, sidomos pas iluzioneve që kishin krijues të caktuar, se pas pushtimit italian, ishte momenti i duhur i bashkimit të trojeve shqiptare. Por, si për çudi ky ideal i bashkimit kombëtar, që e hasim te aq shumë poetë shqiptarë, nuk përkonte as me ideologjinë e Shqipërisë mbretërore, as të Shqipërisë komuniste.
Në anën tjetër, vargjet lapidare të këtij ideali atdhetar, që lidhet me temën për praninë e Çamërisë në poezinë e disa krijuesve shqiptar, të Prof. Vebi Bexhetit, nuk e kanë mundur asnjë ideologji, pa marrë parasysh sa fjalë boshe kishin thënë në jetën e tyre pushtetare. Andaj, poeti Adren shkruan:
“Mi ball të Shqipërisë, Mëmës së adhuruar /Si hyj po ndrini, Ju, Kosovë e Çamëri” (fq. 104).
Poezi kushtuar Çamërisë, robërisë së saj, dhembjes dhe mallit për të, herë duke ftuar shqiptarët që të bashkohen për çlirimin e krahinave që ju kishin marrë të tjerët, herë duke vajtuar gjendjen e mjerueshme nga pushtimi të atyre viseve, herë tjetër, duke dhënë porosinë e madhe se pa luftë nuk ka liri, kanë shkruar shumë poetë, të cilët i ka shqyrtuar në veprën e tij Vebi Bexheti. Ndër ta, përmenden edhe Sejfulla Malëshova, ku në poezinë me titull Për Kosovë e Çamëri, e cila për shkak të ‘mëkatit’ të autorit nuk ishte botuar deri në vitin 1998. Sipas studiuesit të kësaj poezie, autori, sejfulla Malëshova, e njihte mirë hartën e gjeografisë shqiptare, andaj thirrja që u bën shqiptarëve, se pa ndihmën e shtetit amë, vështirë se vjen liria për Kosovën dhe Çamërinë. Dhe thotë: “Vëllezër po thërret Kosova e gjorë
/dhe me ngashërime Çamëria e ngratë . Çohuni burra e lidhni dorë për dorë. Mjaftë mbretëroi kjo e zeza natë” (fq. 105-106).
Ndër poetë të që kanë trajtuar në krijimet e tyre, Çamërinë dhe ngjarjet e jetës së saj historike, më së miri e kanë përjetësuar në art, ndoshta vetë krijuesit çamë. Ndër ta, sipas studiuesit Vebi Bexheti, një zë krejt specifik dhe i veçantë, është Bilall Xhaferri, sidomos me poezinë “Baladë çame”. Secili peizazh, secila pamje, secila tragjedi e njerëzve çamë, janë dhënë përmes ndjeshmërisë lirike, ndër më të fuqishmet në gjithë lirikën shqiptare me këtë temë. Krijime të tjera të poetëve që i kanë kënduar Çamërisë dhe fatit të saj historik, Çamërisë si realitet artistik dhe Çamërisë si tragjedi kombëtare historike, autori i këtij studimi, ka analizuar edhe poezitë e Ali Podrimës.
Një krijues shumë i veçantë, i përkushtuar tërësisht, edhe me artin e tij, në prozë dhe në poezi, është pa dyshim krijuesi Arben Kondi. Vepra e tij, me titull “Kosovë Çamëri”, krejt ndryshe nga sa jemi mësuar ta lexojmë në poezinë shqipe, këtu shtrihet në tetë vëllime të veçanta, gjë që dëshmon jo vetëm për preokupimin jetësor krijues të autorit, por dëshmon edhe plagën e madhe kombëtare që është e pranishme në jetën tonë.
Epopeja e Vlorës në krijimet poetike
Vlora është sinonimi i epopesë së pavarësisë shqiptare, ashtu siç e kishte shpallur plaku i urtë, për të katër Vilajetet. Kjo epope e historisë sonë të re, ka gjetur paraqitje edhe në poezinë e njërit nga krijuesit shumë interesant, jo vetëm për fjalorin poetik, por edhe për lirinë e të thënies poetike.
Krijuesi Ali Asllani, në një cikël të tërë “Rreth epopesë së Vlorës”, i ka dhënë zë me fuqinë e artit të poezisë së tij aktit të shpalljes së pavarësisë, e ka përjetësuar në vargjet poetike, babanë e kësaj pavarësie, Ismail Qemalin, ka vënë në peshoren e fjalës poetike përmasën kombëtare të Flamurit kombëtar, por që të gjitha këto, thënë me gjuhën poetike të Ali Asllanit, me fjalorin poetik të tij, krejt specifik, thuajse në gjithë poezinë shqiptare, sidomos në atë të Rilindjes dhe të viteve ‘30-të, ku thjeshtësia e shprehjes poetik, i jep freskinë dhe natyrshmërinë e ligjërimit të tij poetik.
Në ciklin “Rreth epopesë së Vlorës”, që ka brenda katër poezi, secila duke shpaluar idealin e atdheut dhe gjëmën që po i përgatitej nëpër konferencat ndërkombëtare, por poeti ka shpresë, sepse atë e kanë mbjellë luftëtarët e lirisë. Ali Asllani, si edhe Gjergj Fishta në “Lahutën e Malësisë”, që merret edhe me Parisi, edhe me Londrën, merret edhe ky me Parisin, me konferencën që mbahet në atë qytet, edhe pse ai ka besim se askush, e as Parisi, nuk mundet: “të bëj ç’të dojë, si me kartë edhe me gojë”, edhe për faktin se shqiptarët do ta mbrojnë tokën e tyre, lirinë e tyre, edhe me gjak, por edhe për faktin se ai copëtim, nuk është i natyrshëm, sepse, thotë poeti: “s’dahet djali nga e ëma, /s’ndahet koka nga kufoma, /s’shitet Vlora me fermane, s’vishet burri me tumane” (V. Bexheti, 116).
Kurse në poezinë që i kushtohet varrimit të Ismail Qemalit, janë karakterstike vargjet, që përmbledhin, jo vetëm prapaskenat e ngjarjeve që janë zhvilluar lidhur me varrimin e tij, por edhe gatishmërinë e vlonjatëve, që ta përcjellin burrin e madh të atdheut ashtu siç e kishte merituar, si babai i atij atdheu, andaj: “Vlora bëri si e deshi, me bajrak të saj e veshi, /Veshi plakun me bajrak, /Me bajrakun ngjyrë gjak”/ (Po aty, 117). (Vijon)