‘Rimëkëmbje’, slogani i PDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit?
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në zgjedhjet e 14 shkurtit do të garojë e vetme.
Ajo pranë vetës ka afruar disa figura që të jetë sa më e “fortë” dhe të marrë sa më shumë mbështetje qytetare.
Ndërsa ka nisur të përgatitë listën për deputetë, PDK-ja ka zgjedhur edhe sloganin që do të garojë në zgjedhjet e reja.
“Reporteri” nga burimet brenda PDK-së mëson se fjala “Rimëkëmbje” do të jetë slogani i kësaj partie në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Kjo fjalë siç dihet ka qenë mjaft e përdorur gjatë muajve të fundit në Kosovë, për shkak të krizës ekonomike, ku lidhet konkretisht me rimëkëmbjen ekonomike.
Kujtojmë se PDK në këto zgjedhje kandidat për kryeministër e ka Enver Hoxhaj, kryetar në detyrë i kësaj partie. Kandidimi i tij ka ardhur për shkak se Kadri Veseli gjendet në Hagë.