Rimilitarizimi i Ballkanit

10 janar 2019 | 11:29

Prof. Dr. Blerim Reka

  • Ballkani po rimilitarizohet- pas demilitartizimit të filluart; para çerek shekulli. Derisa asnjë nga shtetet anëtare dhe ato aspirante të NATO-s të rajonit, nuk arritën 2% të GDP të shpenzimeve ushtarake; Serbia shpenzon për ushtrin më shumë se të gjitha shtetet e Ballkanit së bashku, apo 7 herë më shumë se Shqipëria- shtet anëtar i Aleancës Veri-Atlantike. Baza Ruse, blerja e armatimit rus, deri te paralajmërimi i dërgimit të ushtrisë ruse në Serbi; ndikuan që NATO të vendos për ngritjen e bazës ajrore në Shqipër, kurse Kosova të krijoj ushtrinë e rregulltë.

 Trendi i shpenzimit të shtuar ushtarak u vërejt në të gjithë botën dhe ai po reflektohet edhe në Ballkan. Në vitin 2018, shpenzimet globale ushtarake u rritën në nivelin më të lartë që nga fundi i luftës së ftohtë: në 1.7 trilion dollarë. Në samitin e fundit të NATO-s, Presidenti i SHBA, Donald Trump këmbënguli se aleanca duhet të dyfishojë objektivin e saj të shpenzimeve ushtarake (nga dy në katër për qind të bruto produktit vendor). BE, ndërkaq do të shpenzojë më shumë se 5 miliardë euro në vit për financimin e kërkimeve për mbrojtje dhe blerjen e armëve përmes fondit të saj të ri evropian të mbrojtjes.

Këto zhvillime ngritën shqetësime për një rimilitarizim edhe në rajon, qoftë nëpërmjet luftës hibride, apo vendosjes së bazave të reja ushtarake. Një çerek shekulli pasi vendet e Ballkanit, filluan zvogëlimin e aftësitë e tyre ushtarake, shumë prej tyre filluan të ndryshojnë kursin. Trendi i tillë u  nxit sidomos nga vala mediatike e urrejtjes etnike dhe partive politike që shtyjnë agjendat nacionaliste.

Ky teren i përgatitur kështu, do tu ofrojë justifikim qeverive në rajon për të forcuar ushtritë e tyre dhe për t’i mbajtur institucionet e dobëta demokratike, duke u thirrur në mosmarrëveshjet e pazgjidhura ballkanike. Pos këtyre lojtarëve lokal, tashmë në rajon, filluan të përfshihen edhe fuqitë ushtarake globale. Serbia dhe Republika Srpska, filluan të pranojnë armët ruse si dhe bazat e saj. NATO, planifikon të ndërtojë bazë ajrore në Shqipëri.

 NATO-ja përballë Rusisë

Aktualisht, shumica e aspirantëve të NATO-s nga Ballkani Perëndimor, nuk përmbushin qëllimin e shpenzimeve të mbrojtjes prej 2 për qind të GDP-së. Maqedonia, arriti atë objektiv në vitin 2007, (me 2.15 për qind të GDP-së së saj në mbrojtje), mirëpo këtë vit, ra në 1 për qind të GDP-së. Kjo edhe si rezultat i reduktimit të planifikuar në personelin ushtarak aktiv të vendit: nga afro 8,200 në afro 6,800 trupa.

Serbia, mbetet shteti me buxhet më të madh ushtarak në rajon: në vitin 2017, ajo shpenzoi 731 milionë dollarë (sipas Institutit Ndërkombëtar të Stokholmit për Kërkimin e Paqes-SIPRI). Shqipëria shpenzoi 162 milionë dollarë, Maqedonia 112 milionë dollarë dhe Mali i Zi 74 milionë dollarë. Buxheti i Kosovës për ushtrinë e saj vitin e ardhshëm do të jetë 98 milionë euro.

Serbia, me rreth 30 mijë trupa, mbetet fuqia më e madhe ushtarake në Ballkanin Perëndimor, kurse Shqipëria e dyta. Kosova do t’i transformojë “Forcat e Sigurisë” të saj në një ushtri të rregullt këtë vit. Bosnjë e Hercegovina, e cila është shumë afër për t’u bërë shtet i dështuar, dëshiron të bëhet një anëtar i NATO-s. Megjithatë, Republika Serpska e cila me veton e saj në nivel federal, do të bllokojë çdo iniciativë të tillë. Tri javë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar, Republikën Serpska e vizitoi ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë Sergei Lavrov, për të mbështetur zgjedhjen e Dodikut në Presidencën Federale.

Serbët, pra jashtë Serbisë po bllokojnë anëtarësimin e vendeve tjera në NATO, ndërkaq që ushtria e Serbisë ende mbështetet tek Rusia. Sondazhet tregojnë se vetëm rreth 3 për qind e shtetasve serbë e mbështesin që vendi i tyre t’i bashkohet NATO-s, ndërsa në Shqipëri kjo shifër me vite ishte rreth 90 për qind. Shumica e qytetarëve të Maqedonasve gjithashtu mbështesin anëtarësimin në NATO, pavarësisht propagandës së madhe ruse kundër NATO-s para referendumit të fundit të shtatorit. Disa zyrtarë të lartë të BE-së dhe SHBA-së, duke përfshirë kancelaren gjermane Merkel dhe ish-sekretarin amerikan të Mbrojtjes Jim Mattis, vizituan vitin e kaluar vendin për të kundërshtuar këtët fushatë të Kremlinit, kurse Kongresi i SHBA, vjet miratoi 8 milionë dollarë për të ndihmuar Maqedoninë që të luftojë propagandën ruse.

Ka të ngjarë që lufta hibride dhe gara ushtarake do ta ndajnë rajonin në dy zona të sigurisë: një nën ombrellën ruse (Serbi dhe Republika Srpska) dhe e dyta – vendet me orientim euroatlantik (Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi).

Ideja për shkëmbim territoresh

Harta ushtarake e Ballkanit duket e thjeshtë: Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nuk janë anëtare të NATO-s, por kufizohen me fqinjët që janë apo aspirojnë aëtarësimin në aleancën veri-atlantike. Rusia është e pranishme në rajon, nëpërmjet “Qendrës Humanitare Ruso-Serbe” në Nish, e cila ende nuk e ka fituar statusin diplomatik, pavarësisht shtytjes së fortë nga Moska. Mirëpo, qeveritë perëndimore e kundërshtojnë këtë, sepse konsiderojnë se qendra është e përfshirë në aktivitete të inteligjencës. Kjo bazë ruse është afër kufijve të Serbisë me dy anëtarë të NATO-s: Bullgarinë dhe Rumaninë, si dhe dy aspirantët e NATO-s: Maqedoninë dhe Kosovën.

Kremlini paralajmëroi se planifikon të krijojë një “qendër rajonale për dhënien në shërbim të helikopterëve të saj ushtarakë”, e së voni edhe për dërgimin e trupave të saj në Serbi.

Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR) ka bazën e vet në Kosovë që nga viti 1999 dhe së shpejti aleanca do të fillojë ndërtimin e një baze ajrore në Kuçovë të Shqipërisë.

Ky rimilitarizim do të krijojë tensione serioze në rajon, mu në kohën kur po hapet kutia e pandorës kufitare. Një propozim për rregullimin e kufijve/shkëmbimin e territoreve midis Serbisë dhe Kosovës ka ndarë aktorët kryesorë në katër blloqe: Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar (Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministrja britanike Theresa May kategorikisht kundërshtojnë këtë ide); Komisioni Evropian, (shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini dhe Komisionari i Zgjerimit të BE-së Johannes Hahn janë implicitë për); Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë nga afër por nuk kanë marrë asnjë vendim duke paralajmëruar se jo çfardo marrëveshje do pranohet nga Uashingtoni); dhe Rusia, (sipas zëdhënëses së MPJ Maria Zaharova) që do të “pranojë çdo marrëveshje që është e mirë për Serbinë”.

Çështjet ushtarake dhe kufitare janë shumë të ndërlidhura në Ballkan, pasi politikanët në rajon shpesh bëjnë thirrje për dërgimin e ushtarëve për t’i mbrojtur kufijtë. Liderët mbështetës të këtij propozimi, janë me  të kaluar ushtarake: Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ishte udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiq ishte ministër i Informacionit në kohën e ish-presidentit jugosllav Slobodan Millosheviq, gjatë luftërave Ballkanike të viteve ‘90-ta. Gjatë vizitës së tij në Kosovë në muajin shtator, presidenti Vuçiq mbajti një fjalim në të cilin, madje ai vlerësoi Sllobodan Millosheviqin. Me ithtarët e Millosheviqit si Vuciqi dhe Daçiqi në pushtet në Beograd, çdo çmilitarizim i ri i Ballkanit duket shumë larg.

Tensionet mes shqiptarëve dhe serbëve

Paqja ballkanike do të varet nga mënyra se si dy kombet më të mëdha – shqiptarët dhe serbët (secili me 7-8 milionë banorë), do t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre. Për më tepër se një shekull, Ballkani është në pritje të një paqe të qëndrueshme, përfundimtare mes këtyre dy kombeve.

Bisedimet sekrete midis udhëheqësve nuk kanë gjasa të arrijnë këtë qëllim. Lufta e Parë Botërore, e cila filloi në Ballkan, shpërtheu, pikërisht si rezultat i aleancave sekrete. Çështja kryesore është nëse ndryshimi i kufijve do të çojë në paqe apo më shumë luftë? Ministrja kroate e Punëve të Jashtme Marija Pejcinovic Buriç ka shfaqur hapur dyshimin se precedenti i tillë do të vendoste një shkëmbim territorial edhe në pjesë tjera tërajonit. Droja është  nga një efekt domino, në Maqedoni dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Vetëm një pajtim i vërtetë midis Kosovës dhe Serbisë – me njohjen reciproke të shteteve mund të ndalojë rimilitarizimin e rajonit. Kjo duket e pamundur në një afat të shkurtër, duke marrë parasysh qëndrimin e ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, se Serbia “kurrë nuk do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur”.

Pas lobimit të fuqishëm serb për blokimin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol, qeveria në Prishtinë vendosi taksën prej 100 për qind ndaj importeve për mallrat nga Serbia, kurse Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një marrëveshje për bashkim doganor. Beogradi paralajmëroi se Shqipëria dhe Kosova po lëviznin drejt bashkimit. Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin tha se ushtria e vendit të tij ishte “e përgatitur” për të pushtuar Kosovën për të mbrojtur serbët që jetojnë atje.

Në dhjetor, Kuvendi i Kosovës votoi krijimin e ushtrisë së rregullt prej 5,000 trupash, kurse Kryeministrja serbe Ana Brnabiq kërcnoi se vendi i saj mund të ndërhyjë ushtarakisht, e presidenti Vuçiq inspektoi trupat serbe në kufirin Serbi-Kosovë. Qeveria e Kosovës, si përgjigje tha se ushtria e saj do të përdoret për të kontribuar në misionet ndërkombëtare (si ato në Afganistan dhe Irak) dhe jo për tu përdorr kundër serbëve në territorin e vet ose kundër vetë Serbisë. SHBA, ndërkohë dërguan një kontingjent armësh për Forcën e Sigurisë të Kosovës.

 Fokusi strategjik

Ballkani, mbase do të jetë një pikë jo pak e rëndësishme në strategjinë e sigurisë së SHBA-së. NATO, për të kundërshtuar Rusinë, në samitin e fundit, u përqendrua në ofrimin e sigurisë nga deti Baltik deri në Ballkan. Përveç bazës së re ajrore të NATO-s në Shqipëri, ka të ngjarë që SHBA të ketë një bazë të përhershme pas KFOR-it, si dhe të vendosë 3,000 trupat e saj aktuale në Poloni në mënyrë të përhershme, siç kërkohet edhe nga Varshava zyrtare.

Të gjitha këto lëvizje janë në pajtim me  “Iniciativën e tri deteve” (“Three Seas Initiative”) për të krijuar një zonë stabiliteti mes Detit Baltik, Detit të Zi dhe Detit Adriatik. Së bashku me vendosjen e saj në shtetet baltike dhe bazën e saj të re në Shqipëri, porti i Konstancës në Detin e Zi të Rumanisë do të jetë krucial për NATO-n. Shqipëria, ndërkaq e vendosur në detin Adriatik dhe Jon, me qasje të drejtpërdrejtë në Mesdhe, po përfundon pjesën e saj të gazsjellësit TAP, si një zvogëlim i varësinsë evropiane nga gazi Rus. Për më tepër, Kroacia planifikon të ndërtojë një terminal për gazin natyral të lëngshëm (LNG) në Adriatik, për ti konkuruar gjithashtu gazit rus. Është e qartë se iniciativa e re e tre deteve do të lidhë sigurinë politike me sigurinë energjetike.

Gjatë Luftës së Ftohtë, Evropa Juglindore u balancua në aspektin strategjik përmes formulës 2 +2 +2: dy anëtarë të NATO-s (Turqia dhe Greqia), dy shtete të Paktit të Varshavës (Bullgaria dhe Rumania) dhe dy shtete që nuk i përkasin asnjë blloku ushtarak (Jugosllavia dhe Shqipëria). Sot, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi dhe Shqipëria kanë hyrë në NATO. Rusia po kthehet në rajon nëpërmjet aleatëve të saj Serbia dhe Republika Srpska. Maqedonia ka gjasa të bëhet anëtari i 30-të i NATO-s këtë vit, ndërsa Kosova gjithashtu shpreson t’i bashkohet Aleancës. Fundja në Kosovë ndodhet Bondsteel – baza kryesore e Ushtrisë së SHBA-së nën komandën e KFOR-it, më e madhja në Evropë.

Baza ajrore e NATO-s

Për një kohë të gjatë, baza e vetme ushtarake e huaj në Ballkan ishte baza e Marinës sovjetike në ishullin Sazan të Shqipërisë. Pastaj Shqipëria u largua nga Pakti i Varshavës dhe mbeti neutrale për katër dekada derisa u bë anëtare e plotë e NATO-s në vitin 2009. Gjysmë shekulli pas bazës sovjetike, atje do të krijohet baza e NATO-s, duke i siguruar Aleancës një vend të rëndësishëm strategjik: vetëm një orë fluturimi nga Siria. Në gusht 2018, NATO-ja njoftoi se do të investonte rreth 51 milionë euro në bazën ajrore në Kuçovë – dikur bazë për Forcën Ajrore Shqiptare. Objekti do të ofrojë karburante, logjistikë dhe mbështetje policore, si dhe trajnime për Aleancën transatlantike.

Duket se NATO-ja vendosi të krijojë bazën e saj të parë ajrore në Ballkan si pasojë e asaj që konsiderohet si një qëndrim i ri ushtarak agresiv nga Rusia, që kulmoi me aneksimin e Krimesë në mars 2014. Në prill 2018, ministrja shqiptare e Mbrojtjes Olta Xhaka dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes James Mattis finalizuan marrëveshjen e bazës ajrore gjatë bisedimeve në Uashington. Reagimi i Kremlinit ishte i shpejtë; Kryeministri rus Dmitri Medvedev e quajti vendimin për ndërtimin e bazës një “provokim”, duke paralajmëruar se Moska nuk do “të qëndrojë pranë dhe të shikojë”, kurse. agjencitë ruse të lajmeve e kualifikuan ate  si cënim i “kufirin të vendit” nga NATO!

Ishte vetë Rusia, ajo që në shtatorin e kaluar, mbajti stërvitjen më të madhe ushtarake që nga Lufta e Ftohtë (“Vostok 2018”, me 297,000 ushtarë, përfshirë edhe ata nga Serbia. Në gushtin e kaluar, Forcat Ajrore të Serbisë pranuan dy avionë luftarakë rusë MiG-29 dhe ishte  njohtuar edhe për blerjen nga Bogradi të sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-300, gjashtë avionëve MiG-29 nga Bjellorusia, dhe të transportuesve ushtarak ajrore- pa pilot- nga Kina.

Javën e ardhshme gjatë vizitës së Presidentit Rus Putin në Beograd, pritet nënshkrimi i 20 marrëveshjeve bilaterale Ruso- Serbe, disa prej të cilave edhe për bashkëpunimin ushtarak midis dy shteteve, në kohën kur Beogradi gjithashtu po mbështet rritjen e forcave të sigurisë të Republika Serpska, kurse kjo e fundit po kërkon nga Moska vendosjen e bazës ruse.

Skenarët

Skenari më i mundshëm është ai në të cilin Rusia dhe NATO-ja do të risin praninë e tyre ushtarake në rajon, përfshirë këtu edhe krijimin e bazave përkatëse. Pavarësisht nga referendumi i dështuar në Maqedoni, ajo do të bëhet anëtar i 30 i NATO-s, me çka do të mbyllej unaza jugore e Aleancës Veri- Atlantike, si dhe dy korridoret pan-evropiane të transportit: VIII (nga Durrësi, Shqipëri deri në Varna, Bullgari); dhe X (nga Salzburgu, Austri deri në Selanik, Greqi) do të jenë tërësisht nën mbrojtjen e NATO-s. Me këtë Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina do të rrethohen plotësisht nga anëtarët e NATO-s, përveç kufirit të tyre të përbashkët.

Serbia, do të insistoj për bisedimet për shkëmbim territoresh me Kosovën, për të penguar këtë proces konsolidues të NATO-s, me qëllim të krijimit të një zone të re konflikti në Ballkan. Bisedimet për shkëmbimin e territoreve janë pezulluar për shkak të kundërshtimit të fortë të kancelares Merkel dhe kryeministres May, ndërkaq dyja palët negociuese, nuk kanë gjasa të arrijnë një marrëveshje- deri në mesin e vitit 2019, kur edhe përfundon mandati aktual i Komisionit Evropian. KE-ja është hamendur rreth asaj për të mbështetur marrëveshjen, me komisionarët Mogherini dhe Hahn duke i mbështetur ata në një përpjekje të fundit për të konfirmuar një “sukses” në mosmarrëveshje – para se kushtet e tyre të jenë plotësuar.

Është po aq e mundshme që rimilitarizimi i rajonit të jetë pjesë e një skenari  më të gjerë të përplasjes strategjike rreth Detit Mesdhe. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të theksohet ndikimi i forcuar Rusisë me bazat e saj ushtarake në Siri; sidomos pas vendimit të fundit të presidentit amerikan Tump për të tërhequr trupat amerikane nga atje. Ndikimi i saj dhe prania e pritur në rritje në rajon do të stabilizojë Evropën Juglindore në vitet e ardhshme. Ekziston droja se Moska mund të nxisë konflikt atje, duke dërguar më shumë refugjatë në Evropë dhe duke destabilizuar qeveritë evropiane. Me Maqedoninë në aleancë, NATO-ja do të ketë mbyllur krahun e saj në Lindjen e Mesme.

(Botuar në Geopolitical Intelligence Service – GIS. Përktheu nga anglishtja: Arsim Osmani)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Throgan Hazard dëshiron të largohet nga Borussia Monchengladbach, pasi dëshiron…