Rinegocimi i CEFTA-s si zgjidhje
Kosova duhet të rinegociojë Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore, CEFTA, pasi që në raport me vendet nënshkruese të kësaj marrëveshjeje, vazhdon të jetë në pozitë jo të barabartë, thonë ekspertë dhe ish zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.
Vendet anëtare të CEFTA-s janë: Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia. Kosova u anëtarësua në vitin 2007.
Për shkak se në atë periudhë Kosova nuk e kishte të zgjidhur statusin, marrëveshja ishte nënshkruar nga shefi i atëhershëm i UNMK-ut, Joachim Ruecker.
Hyrja në këtë mekanizëm, në atë kohë ishte mirëpritur nga institucionet e atëhershme të Kosovës, kurse euforia për përfitime ekonomike nuk mungonte as te komuniteti i biznesit, por as te zyrtarët qeveritarë.
Por, tani pas 11 viteve, vetë udhëheqës të institucioneve shtetërore dhe përfaqësues të bizneseve në Kosovë, thonë se rezultatet e marrëveshjes kanë qenë vetëm në aspektin politik dhe jo në atë ekonomik dhe se marrëveshja duhet të rinegociohet.
Ish ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, në një bisedë për “Radion Evropa e Lirë” ka thënë se Kosova duhet të analizojë mirë marrëveshjen e CEFTA-s, me qëllim që përveç tjerash, të merr pjesë si Kosovë dhe jo si UNMIK.
“Në vitin 2007 Kosova kishte nevojë për të qenë akter në arenën ndërkombëtare për të marrë pjesë në forume ndërkombëtare në një mënyrë për të forcuar subjektivitetin e vet ndërkombëtarë”.
“Nëse analizohet koha kur është nënshkruar kjo marrëveshje, Kosova ka pasur një prodhimtari të vogël dhe është i vetmi vend në kuadër të CEFTA-s, ku nuk ka arritur të mbrojë asnjë produkt karshi produkteve që vijnë nga rajoni. Kjo mosmbrojtje e prodhimeve vendore ka bërë që Kosova të jetë hapësirë e mirë për prodhuesit rajonal, ndërsa prodhuesit kosovarë të jenë në disfavor”, ka thënë Mulaj.
Ai ka theksuar se të gjitha shtetet nënshkruese të kësaj marrëveshjeje kanë lista të produkteve të cilat i kanë mbrojtur shtetet e rajonit, ndërsa Kosova në atë kohë nuk ka ofruar listë të produkteve që do t’i mbrojë.
“Marrëveshja CEFTA krijon hapësirë juridike që brenda shtatë muajve të rinegociohet, por Serbia nuk po pranon të rinegociohet pasi që Kosovën nuk e njeh si subjekt nënshkrues të kësaj marrëveshjeje, por e njeh vetëm UNMIK-un. Në kohën kur kam qenë ministër, i kam bërë thirrje qeverisë dhe kam thënë që ky do të jetë takimi i fundit që marrim pjesë si UNMIK, por ndërrimi i qeverive ka bërë që kjo problematikë të vazhdojë”, ka thënë Mulaj.
Akronimi UNMIK-Kosovë, është përdorur qysh në fazën e nënshkrimit të marrëveshjes, ngase Kosova nuk e kishte të zgjidhur statusin e saj, andaj edhe është përfaqësuar nga Administrata e Kombeve të Bashkuara, përmes Rezolutës së Këshillit të Sigurimit 12 44.
Lekë Musa, ekspert i çështjeve ekonomike, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se qysh në fillim Kosova ka qenë e pozicionuar keq në CEFTA për shkak të paaftësisë negociuese.
“Në fillim na është dhënë mundësia që të mbajmë disa tarifa ashtu siç i kanë mbajtur shtetet tjera anëtare të CEFTA-s për ata sektorë që Kosova ka pasur mundësi që të ketë një përparësi konkurruese si në sektorin e bujqësisë, industria e prodhimit të qumështit, kanë mundur që të mbrohen për një periudhë, por këto mundësi nuk i kemi shfrytëzuar, pasi që kjo ka qenë në kohën e UNMIK-ut ku ata kanë negociuar për Kosovën dhe atëherë e kemi humbur ”, ka thënë Musa.
Marrëveshja CEFTA, ka theksuar Musa, është një marrëveshje e cila mundëson ngritjen e kredibilitetit të një vendi dhe potencialisht për të tërhequr investime, dhe për të rritur fuqinë eksportuese, por që Kosova nuk arriti të përfitojë nga kjo për shkak të mungesës së prodhimit vendor konkurrues.
“Gjendja do të ishte më e keqe po të mos ishte Kosova pjesë e CEFTA-s. Mos të harrojmë që ekonomia e Kosovës është shumë e varur nga donacionet që vijnë nga Bashkimi Evropian dhe Amerika dhe si kusht për këto, asistenca direkte është që Kosova të jetë pjesë e integrimeve rajonale, siç është CEFTA. Kosova nuk ka altrentivë tjetër përveç integrimit”, ka thënë Musa.
Shumica e shteteve anëtare të CEFTA-s, jo domosdoshmërisht kanë respektuar këtë marrëveshje, gjë e cila kishte detyruar Kosovën të marrë masa reciprociteti në disa raste.
Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, vetëm pak muaj pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, për tre vjet patën ndaluar produktet e Kosovës në tregjet e tyre, për shkak të ndërrimit të vulës së doganave nga ato të UNMIK-ut në Doganat e Kosovës.
Aktualisht, Kosova ka në fuqi masën mbrojtëse prej 10 për qind për importin e të gjitha produkteve të prodhuara në Republikën e Serbisë dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë.