Rinia Demokratike e Kosovës në mënyrë simbolike shënoi Ditën e Evropës
Rinia Demokratike e Kosovës (RDK) në mënyrë simbolike ka shënuar sot Ditën e Evropës, 9 majin.
Kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës, Donjet Bislimi, ka bërë me dije se me këtë aktivitet ngritën shqetësimin e tyre drejtuar Bashkimit Evropian dhe vendeve evropiane pasi edhe pse janë përmbushur kërkesat për lëvizje të lirë Kosova po vazhdon të mbetet e izoluar.
“Me improvizimin e disa simboleve evropiane rreth simbolit tonë, shenjtores Nëna Terezë, duam të tregojmë se ne jemi pjesë e Evropës dhe jemi në zemër të saj, me vlerat universale që përcolli shenjtorja Nëna Terezë. Me vlerat dhe parimet tona tradicionale, ne ia shtojmë vlerat BE-së dhe e pasurojmë diversitetin e mrekullueshëm kulturor evropian, por përqafojmë vizionin e përbashkët për paqe dhe prosperitet”, ka thënë ai.
Bislimi ka pohuar se rinia e Kosovës ka potencial të jashtëzakonshëm intelektual dhe talent. “Nuk dallon nga bashkëmoshatarët evropianë bile edhe në raste të ndryshme mund të jetë edhe më e avancuar, andaj kërkojmë që mos të na mohohen të drejtat thelbësore për lëvizje, socializim dhe shkëmbim të përvojave dhe ideve për një Evropë dhe Botë më të mirë, me bashkëmoshatarët tanë në BE”, është shprehur Donjet Bislimi.
/Epoka e re/