Rinia e LDK-së dorëzon kallëzim penal për skandalin me grante: I bëjmë thirrje Fitore Pacollit me i kthy cent më cent

19 nëntor 2024 | 11:19

Forumi i Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Kosovës, lidhur me grantet të cilat i ka dhënë deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli, për vëllain e saj dhe së fundmi edhe dajën.

Kryetari i këtij forumi, Paris Gurti, pas dorëzimit të kallëzimit është deklaruar për medie duke kërkuar nga Prokuroria që ta hetojë këtë rast mbi Fitore Pacollin dhe ministrin Peci.

“Kemi dorëzuar kallëzim penal kundër ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit dhe deputetes Fitore Pacolli, pas skandalit që është zbuluar prej Egzonit të premten e kalume, që Fitore Pacolli përmes lidhjeve të saj me ministrin Faton Pecin, ia ka ndarë 100 mijë euro vëllait të saj. E dje u zbulu që pas vëllait i ka nda grant edhe dajës së saj”, ka thënë Guri.

Sipas Gurit kjo është shumë shqetësuese dhe tregon që fondet publike po keqpërdoren në mënyrën më brutale të mundshme, e kjo ai ka thënë nuk bën me të tolerohet në asnjë moment.

“I kemi parë edhe reagimet e bujqve të ndershme, e po ashtu edhe të grave të Krushës të cilat kanë bë një punë jashtëzakonisht të madhe për Kosovën, dhe janë refuzuar me marr grant. Kjo është e papranueshme për ne, ne kërkojmë prej Prokurorisë që ky rast të hetohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Pas këtij rasti dikush duhet me dhanë llogari, dorëheqje. Presim nga ta që të zbardhet sa më shpejtë ky rast”.

“Ky rast dëshmon që ikja e të rinjve që është tu ndodhë, është ka ndodhë sepse ka humbë shpresa. Ne nuk jemi të varfër si popull, por jemi të vjedhur”, ka përfunduar Guri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hasan Mujaj “Themelin e diturisë dhe të atdhetarisë e…