Rinia e LDK-së mohon se kërkon shkarkimin e Isa Mustafës nga posti i kryetarit

31 maj 2020 | 08:11

Kryetari i Forumit Rinor të LDK-së, Fidan Rekaliu, ka mohuar se kjo strukturë ka organizuar një peticion përmes të cilit kërkohet shkarkimi i Isa Mustafës nga posti i kryetarit të partisë. Ai ka thënë se informata të tilla që po qarkullojnë po bëhen me qëllim të keq ndaj partisë.

“Në portale të ndryshme po qarkullon një peticion kinse në emër të rinisë së Lidhjes Demokratike për shkarkimin e kryetarit të LDK-së, Akademik Isa Mustafa. Si Kryetar i Forumit të Rinisë së LDK-së dhe në emër të kësaj strukture, distancohemi nga ky peticion dashakeq që synon të shkaktojë përçarje dhe konfuzion”, ka treguar Rekaliu, i cili ka shprehur mendimin se e çmojnë guximin dhe vizionin e Mustafës: “Lidershipi i guximshëm dhe vizionar i kryetarit Mustafa, në një skenë shumë të egër politike dhe dashakeqe ndaj LDK-së dhe vendit, ka ruajtur qenësinë e LDK-së gjithë këto vite. Nga komunikimi im i rregullt me strukturat e FR/LDK më është konfirmuar qëndrimi që të rinjtë e LDK-së mbështesin lidershipin e kryetarit Mustafa dhe kryesisë në këto kohë sfiduese.

Jemi të bindur që qeverisja e re, e udhëhequr nga prof. dr. Avdullah Hoti, do ta dëshmojë rëndësinë e vendimeve të ndërmarra për t’i shpëtuar aleancat strategjike, rikthimin e plotë të demokracisë në vend dhe rimëkëmbjen e ekonomisë nga pasojat e shkaktuara nga pandemia Covid-19. LDK-ja, edhe këtë herë, si gjithmonë, mbetet unike dhe qëndron fort në mbrojtje të vlerave tona themeltare”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetari i Skenderajt, kryetar i Degës së Partisë Demokratike të…