Rinia e PDK-së me aksion para Qeverisë për 1 maj: Në vend të festës ne kërkojmë siguri në vendin e punës

02 maj 2024 | 13:26

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, rinia e Partisë Demokratike të Kosovës para qeverisë ka zhvilluar një aksion simbolik.

Në këtë aksion të rinjtë janë parë me valixhe në duar për të simbolizuar ikjen e profesionistëve.

Arbnora Salihu, kryetare e RDK-së tha se valixhet në duar janë një simbol i fuqishëm i zgjedhjes së hidhur që shumë qytetarë sipas saj janë të detyruar të marrin rrugën e emigrimit.

Ajo po ashtu ka renditur disa kërkesa për këto kategori.

Disa nga kërkesat ishin siguria në vend të punës, mbulim gjithëpërfshirës sigurimesh, trajtim meritor në vendin e punës, vende të reja të punës, e të tjera.

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, bashkë me rininë e PDK-së jemi mbledhur para qeverisë, ne qëndrojmë këtu, të detyruar nga një realitet i hidhur që na nxitë të shprehim shqetësimin që prek jo vetëm rininë, por çdo shtresë të shoqërisë sonë.

Këtu bashkë me mua ishin 7 të rinj të cilët përfaqësonin vetëm disa nga profesionet:

Policët, Zjarrfikësit, Mjekët/Infermieret, Minatorët, Mësuesit, Ndërtuesit dhe Kamarierët.

Secili mbante nga një valixhe në duar, një simbol i fuqishëm i zgjedhjes së hidhur që shumë qytetarë tanë janë të detyruar të marrin rrugën e emigrimit dhe kjo flet shumë për kushtet në të cilat punojnë punëtorët tanë dhe mundësitë që shtrihen përtej kufijve tanë, dhe jo brenda.

Qeveria Kurti nuk e ka përmbushur premtimin e saj për krijimin e një ambienti të favorshëm për të gjithë punëtorët, pavarësisht kategorisë apo moshës së tyre.

Ky dështim jo vetëm që cenon stabilitetin tonë ekonomik, por gjithashtu detyron shumë qytetare të kërkojnë një perspektivë më të mirë jashtë vendit, duke e shterruar burimin tonë më të çmuar, njerëzit tanë, RININË tonë.

Sot, për të gjitha këto kategori, në vend të festës, NE KËRKOJMË:

–              Siguri në çdo vend pune.

–              Mbulim gjithëpërfshirës sigurimesh si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik.

–              Trajtim i drejtë dhe meritor në vendin e punës.

–              Kompensime adekuate të rrezikut për të gjitha profesionet me rrezikshmëri të lartë.

–              Vende të reja të punës për rininë dhe programe aktive për t’i aftësuar e ndalur ata në Kosovë.

Këto nuk janë vetëm kërkesa; Këto janë shtyllat mbi të cilat ndërtohet një mjedis i drejtë pune, më e pakta që meritojnë punëtorët tanë.

Së bashku, ne qëndrojmë për dinjitetin e çdo punëtori në Kosovë, sepse kur punëtorët mbështeten dhe vlerësohen, i gjithë shteti qëndron më i fortë.

Urime 1 Maji të gjithë punëtorëve që mbajnë gjallë shtetin dhe ekonominë e Kosovës! Faleminderit të gjithëve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
2 maj 1999 shënon një nga ngjarjet më të kobshme…