Rinia në PDK, bartëse e platformës së Dekadës së Re

20 shtator 2018 | 08:24

Kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës (RDK), Donjet Bislimi, në një bisedë për gazetën “Epoka e re” ka theksuar se të rinjtë e të rejat po e përqafojnë gjithandej Kosovës mesazhin dhe vizionin e platformës së Dekadës së Re që, sipas tij, kjo platformë thërret në besim në shtetin e Kosovës dhe në njëri-tjetrin, që bashkërisht ta zhvillojmë shtetin dhe ta integrojmë në familjen e madhe evropiane.

“Epoka e re”: Z. Bislimi, për më shumë se dy muaj jeni zgjedhur kryetar i Rinisë Demokratike të Kosovës. Cili ka qenë angazhimi juaj i deritashëm dhe cili është vizioni juaj?

Bislimi: Përpos koordinimit dhe strukturimit të organeve rinore deri në nivel nëndege, në këta dy muaj i kemi kushtuar rëndësi vendosjes së disa standardeve të nevojshëm për zhvillimin e aktiviteteve dhe për kultivimin e shpirtit aktivist rinor përmes dhjetëra, mund të them qindra aktiviteteve të ndërmarra në të gjitha degët dhe nëndegët e rinisë demokratike. Të gjitha janë dhe do të mbeten të bazuara në vizionin tonë të ngritjes së vetëdijes politike rinore, vlerësimit real dhe korrekt të situatave, meritave dhe emancipimit të nevojshëm politik rinor në frymën e politikave të Partisë Demokratike të Kosovës. Të rinjtë e të rejat po e përqafojnë gjithandej Kosovës mesazhin, vizionin e platformës së Dekadës së Re, e cila, para së gjithash, thërret në besim në shtetin e Kosovës, në njëri-tjetrin, që bashkë ta zhvillojmë vendin tonë e ta integrojmë aty ku e ka vendin, në familjen e madhe evropiane.

“Epoka e re”: Ku qëndron PDK-ja tani në terren, në organizim?

Bislimi: Procesi zgjedhor në Rininë Demokratike të Kosovës ka qenë shembull i një organizimi të madh dhe shumë transparent. Mbi 20 mijë të rinj janë përfshirë në këtë proces zgjedhor në çdo cep të Kosovës dhe mijëra të tjerë të rinj i kanë dhënë përkrahje platformës sonë. Me këtë ne kemi dëshmuar edhe një herë se jemi forca politike më e madhe në vend, me strukturën më të fuqishme, me organizimin më të mirë dhe me platformën më të duhur për Kosovën. PDK-ja do ta vazhdojë tani procesin zgjedhor në strukturat drejtuese në nivel degësh dhe në nivel qendror. Fryma që ka përcjellë zgjedhjet në rini po e përcjellë edhe këtë tani. Janë reforma të rëndësishme që po bëhen, platformë e duhur për Kosovën në periudhën që po hyjmë. Kosova ka pasur nevojë për PDK-në, për forcën dhe vullnetin e saj për të ndryshuar e transformuar vendin. Dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.

“Epoka e re”: Sa mendoni se institucionet tona po punojnë për rininë?

Bislimi: Natyrisht se gjithmonë ka sfida dhe nevoja të reja. Rinia nuk është e ndarë nga zhvillimi i gjithëmbarshëm në vend. Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në çdo fushë dhe çka është më e rëndësishme, rinia ka qenë pjesë e vendimmarrjes në çdo hap. Dua të them se unë jam krenar që jam pjesë e PDK-së, subjektit që më së shumti i ka dhënë hapësirë rinisë dhe më së shumti ka investuar te rinia, qoftë në edukim, në krijimin e një ambienti ekonomik për më shumë vende pune. Rinia në PDK është pjesë e lidershipit drejtues të partisë. Kosova e vitit 2007, kur PDK-ja erdhi në qeverisje, dallon shumë nga kjo e sotme. Kujtojeni pak atë kohë, mënyrën se si kemi jetuar dhe si jetojmë tash. Ka dallim të madh në kuptimin pozitiv, me infrastrukturë rrugore moderne, shkolla e universitete moderne, paga më të larta, infrastrukturë sportive, bujqësi të rimëkëmbur e shumë e shumë transformime të tjera. A ka nevojë për shumë më shumë? Natyrisht se po. Dhe për këtë ne do të punojmë bashkë me lidershipin e PDK-së, me kryetarin Veseli për t’i arritur ato.

“Epoka e re”: PDK-ja do t’i vazhdojë tash zgjedhjet e brendshme në nivel të përgjithshëm të degëve dhe strukturave drejtuese. Ku do të jetë rinia në këtë proces?

Bislimi: Rinia ka rol kyç në të gjitha proceset e brendshme partiake, duke filluar nga puna organizative deri tek ajo vendimmarrëse si pjesë e kryesisë së partisë, por edhe e marrjes së përgjegjësive institucionale më pastaj. Ne do të jemi pjesë e barabartë e organizimit dhe zgjedhjeve, para së gjithash do të punojmë shumë që procesi të ecë në mënyrën më të mirë.

“Epoka e re”: Të rinjtë tanë nuk mbesin jashtë temave të mëdha siç është liberalizimi i vizave, por edhe dialogu. Sa shpesh i diskutoni këto dhe cili është opinioni juaj?

Bislimi: Partia Demokratike e Kosovës udhëhiqet nga njerëzit që kanë kontribuar më së shumti për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Janë njerëz që kanë sjellë ndryshimet e nevojshme në këtë vend, që kanë dalë në ballë të proceseve dhe kanë pasur guximin të marrin vendime të mëdha dhe të duhura për popullin. Ne besojmë në vizionin dhe angazhim për vendin të kryetarit Kadri Veseli. Rinia do të jetë përkrahëse e ideve dhe qëndrimeve tashmë të shprehura për fazën në të cilën ndodhemi. Unë nuk do të dëshiroja që rinia, gjeneratat e tjera që do të vijnë, të kenë barrë probleme të hapura me cilindo shtet fqinj. Konsideroj se Kosova duhet të ketë konsensus, atë që kryetari Veseli po insiston dhe po punon për të tash e sa muaj. Ai është i vetmi që ka prezantuar një platformë të qartë për fazën finale të dialogut. Gjithashtu, presim që uniteti të na përcjellë edhe deri në vendimin final për heqjen e vizave. Rinia ka nevojë të shohë nga e ardhmja.

Arbisa SHEFKIU

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
  Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha në Tv Klan…