Rinis dërgimi i ndihmave ushtarake amerikane në Ukrainë

12 mars 2025 | 15:54

Shtetet e Bashkuara kanë rifilluar dërgimin e ndihmave ushtarake në Ukrainë përgjatë kufirit me Poloninë, pas arritjes së një marrëveshjeje mes zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas në Arabinë Saudite, tha të mërkurën ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski.

Sikorski e bëri këtë njoftim duke folur për gazetarë përkrah homologut të vet ukrainas, Andriy Sybiha, në Varshavë, pasi ky i fundit u kthye nga bisedimet në Xhedah, të mërkurën.

“Mund të konfirmoj se dërgimi i armëve përmes Jasionkas është kthyer në nivelin e mëparshëm”, tha Sikorski, duke iu referuar qendrës logjistike në juglindje të Polonisë.

Uashingtoni kishte njoftuar javën e kaluar se po pezullonte furnizimin e Ukrainës me ndihma, pas një përplasjeje publike në Shtëpinë e Bardhë mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Përplasja kishte shkaktuar shqetësime të mëdha në Ukrainë, të cilat u dëshmuan nga intervistat e Current Time me ushtarë në vijën e frontit.

“Na jepni më shumë armë dhe ne do ta garantojmë sigurinë tonë”, tha një ushtar, i identifikuar me nofkën Sokol, i cili shërben në njësitin e artilerisë në rajonin Donjeck në lindje të Ukrainës.

“Mendoj se gjërat do të qartësohen së shpejti dhe ne do të vazhdojmë të marrim armë dhe ndihma të tjera”, kishte thënë ai.

Sokoli kishte të drejtë, pasi dërgimi i ndihmave ka rifilluar pas një takimi nëntë orësh, në të cilin Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara miratuan një propozim për një armëpushim 30-ditor.

Uashingtoni tashmë ia ka paraqitur këtë Moskës.

Sekretarin amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se “ne do t’u themi atyre se kjo është ajo që ofrojmë”.

SHBA-ja është furnizuesi më i madh i armëve për Ukrainën, dhe komentet e Sokolit nënvizuan rëndësinë që kishte rifillimi i furnizimit të Ukrainës me armë për luftën e saj kundër pushtuesit rus.

“Ne përdorim shumë armë të prodhuara në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë”, tha ai.

Një ushtar tjetër nga ky njësit, i identifikuar si Odini, tha: “Po bëjmë gjithçka që mundemi për t’i mbajtur [forcat ruse] jashtë rajonit të Dnipropetrovskut. Po u shkaktojmë humbje të mëdha për t’i minimizuar lëvizjet e tyre në tokën tonë”.

Duke folur në Varshavë, Sybiha përsëriti përkushtimin e vendit të tij për armëpushimin 30-ditor.

“Jemi gati të krijojmë ekipin e duhur nga ana jonë që do të punojë për këtë plan veprimi se si të arrihet ky armëpushim, nëse ndodh”, tha ai.

Zyrtarët rusë ende nuk u janë përgjigjur propozimeve nga takimi në Xhedah.

Duke folur më 12 mars, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha: “Ne kemi planifikuar kontakte me amerikanët në ditët në vijim, gjatë të cilave presim të marrim informata të plota”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Vëllaznimit është ndarë me trajnerin Mirel Josa. Arsyeje…