Rinisin luftimet në Afganistan, tri ditë pas armëpushimit
Talibanët dhe militantët ekstremistë të ISIS-it rifilluan në fundjavë ofensivën në Afganistan, pasi kishin rënë dakord për tri ditë armëpushim me forcat afgane. Vëzhguesit thonë se qeveria mund të mos i përballojë dot e vetme sulmet tani që po largohen edhe trupat ndërkombëtare.
Kanë rinisur luftimet në Afganistan, tri ditë pas armëpushimit me rastin e Fitër Bajramit.
Militantët e Shtetit Islamik morën përsipër sulmin në një xhami të kryeqytetit, që la 12 të vrarë.
Luftëtarët e ISIS-it thanë se kishin vendosur një mjet shpërthyes brenda xhamisë në periferi të Kabulit, të cilin e aktivizuan kur besimtarët kishin mbërritur për lutjet e së premtes.
Gjatë fundjavës nga militantët u bombarduan edhe disa stacione të furnizimit me energji.
Ndërkohë talibanët intensifikuan nga ana e tyre ofensivën ndaj ushtrisë afgane.
Luftimet mes dy palëve janë bërë më të shpeshta që kur Shtetet e Bashkuara nisën të tërheqin trupat e tyre më 1 maj, pas 20 vitesh.
Shpërthimet jashtë një shkolle vajzash në Kabul vranë ditë më parë më shumë se 50 njerëz dhe plagosën shumë studentë të tjerë.
Zëdhënësi politik i Talibanit tha se ekipi i tyre dhe ai i qeverisë afgane u takuan shkurtimisht të shtunën në Katar ku u zotuan t’i japin një fund paqësor luftës nëpërmjet bisedimeve të reja.
Deri më 11 shtator pritet të tërhiqen të gjitha trupat amerikane, ashtu si edhe forcat e tjera të NATO-s, të pranishme në Afganistan./oranews/