Rinovohen në Spitalin e Gjilanit Pulmologjia, Laboratori i Patologjisë dhe Radiologjisë

09 shtator 2022 | 16:15

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, bashkë me ambasadorin e Luksemburgut në Kosovë, Eric Ditz dhe me drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Arsim Emini, kanë përuruar të premten repartin e rinovuar të Pulmologjisë, Laboratorin e Patologjisë dhe pjesës së rinovuar të Radiologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.

Ky rinovim është bërë me ndihmën e Qeverisë së Luksemburgut.

Në këtë përurim, morën pjesë edhe u.d. drejtoresha e SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raçi, kryetarja e Bordit të SHSKUK-së, Aida Rexhepi, anëtarja e bordit të SHSKUK-së, Agreta Gecaj-Gashi dhe kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.

Me këtë rast, ministri Latifi ka thënë se dita e sotme është një moment i rëndësishëm për zhvillimin dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore në komunën e Gjilanit, pasi që pacientët do të kenë kushte dhe shërbime më të mira për trajtimin e problemeve shëndetësore.

“Ky monument është shumë i rëndësishëm edhe për përmirësimin e kushteve të punës për mjekët, infermierë dhe stafin mbështetës, e njëkohësisht edhe për shërbime sa më të mira për qytetarët e Gjilanit me rrethinë. E gjitha kjo, është në frymën e angazhimeve tona për transformimin e sistemit shëndetësor në vend”, ka thënë ministri Latifi, duke falënderuar Qeverinë e Dukatës së Madhe të Luksemburgut, të cilët financuan këtë projekt, që për rezultat do të ketë avancimin e shërbimeve mjekësore, rritjen e sigurisë e cilësisë së shërbimeve për pacientit dhe ngritjen e motivimit për personelin shëndetësor.

Ky investim, tha ministri, dhe shumë investime tjera që ka bërë Qeveria e Luksemburgut, si pjesë e aktiviteteve të projektit “Programi mbështetës për shëndetësinë në Kosovë KSV 017”, tregon më së miri se bashkëpunimi i mirë që ka Kosova dhe institucionet e saj me Qeverinë e Luksemburgut, përkthehet në përfitime konkrete për qytetarët tanë. “Prandaj, sot nga ky vend ju themi faleminderit taksapaguesve të Luksemburgut për mbështetjen e vazhdueshme, të cilën e vlerësojmë shumë dhe të cilën jam i bindur se do ta arsyetojmë me punë”, ka pohuar ministri Latifi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dëshmitari Shkumbin Mehmeti, ka refuzuar të deklarohet në gjykimin ndaj…