Rinovohet rrjeti elektrik në Pataqan të poshtëm të Rahovecit
Një prej rajoneve të rëndësishme të Komunës së Rahovecit është edhe Pataqani i Poshtëm.
Një fshat ky i populluar me banorë që njihen për kultivimin e rrushit dhe verërave.
Projekti investiv që ka ardhur nga KEDS-i, ka ndihmuar në përmirësimin e kushteve të jetës dhe punës për këtë rajon. Investimi ka përmirësuar cilësinë e furnizimit me energji elektrike, e njëkohësisht ka sanuar rrezikun për banorët, që deri më tash vinte si pasojë e rrjetit të vjetruar të ekspozuar që në hyrje të këtij fshati, ku edhe ndahen Pataqani i poshtëm me Fortesën.
Nga ky projekt kanë përfituar 87 familje.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka treguar që në kuadër të këtij investimi janë vendosur
shtylla të reja të betonit dhe trafo të re.
Banori i Pataqanit të poshtëm dhe anëtari i kryesisë së fshatit, Samedin Zeka, ka thënë se investimi që ka sjellë KEDS-i në këtë anë, ka qenë jashtëzakonisht i mirëpritur për komunitetin.
Me investimet nga KEDS, në fshatin Pataqan është i kënaqur edhe Drejtori i Shërbimeve Publike të Komunës së Rahovecit, Përparim Krasniqi.
Ai ka theksuar se pret që projekte të tilla KEDS-i të shtrijë edhe në zona të tjera të kësaj ane.
Plani Zhvillimor i Rrjetit të Shpërndarjes është një master plan i KEDS-it që parasheh investimin e 300 milionë eurove në rrjetin distributiv elektrik të Kosovës deri në vitin 2025.
Përmes këtij master plani KEDS-i synon të rinovojë rrjetin elektrik dhe ta bëjë atë të ngjashëm me rrjetet elektrike të shteteve të zhvilluara evropiane.