Rinovoi me Shqipërinë, flet për herë të parë Sylvinho
Federata Shqiptare e Futbollit i besoi sërish teknikut Sylvinho stolin e Kombëtares, me bindjen se suksesi i arritur me kualifikimin Europian do të përsëritet edhe për Botërorin 2026 që luhet në Amerikë.
Braziliani ka pranuar rinovimin dhe do të drejtojë pankinën kuqezi të paktën deri në dhjetorin e vitit 2025, ndërsa puna rinis nga shtatori me Nations League.
Pasi ka hedhur firmën në kontratën e re me FSHF-në, Sylvinho ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Instagram ku shprehet se skuadra do të jetë gati për sfida të reja.
“Jam shumë i lumtur me rinovimin e kontratës së stafit tonë teknik deri në dhjetor 2025. Është vazhdimi i punës që nisi një vit e shtatë muaj më parë, me synimin për t’u kualifikuar në finalet Kampionatit Evropian e që u realizua. Ne u përballëm si të barabartë me çdo rival në Euro 2024 dhe dolëm nga turneu krenarë për atë që bëmë. Por tani është koha për të ecur përpara dhe për t’u përballur me sfida të reja. Jemi gati për këtë. Forca Shqipëri!!!”, shkruan Sylvinho.