Rinumërohen 299 vendvotime
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesi i rinumërimit të vendvotimeve, për të cilat KQZ-ja është urdhëruar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Sipas të dhënave të KQZ-së vetëm brenda ditës së premte (08:00 – 00:00) janë rinumëruar 130 vendvotime.
Lajmi është konfirmuar për Ekonomia Online nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se “në përgjithësi numri i vendvotimeve të rinumëruara për dy ditë e gjysmë është 299 vendvotime apo 21.25%”.
KQZ-ja nuk ka dhënë ndonjë parashikim se sa ditë duhen për të përmbyllur të gjithë këtë rinumërim të vendosur nga PZAP-i, por duke u mbështetur në të dhënat e deritashme i bie që brenda një dite, nga mëngjesi deri në mesnatë, të rinumërohen mesatarisht 120 vendvotime.
Nëse QNR do të punojë me këtë dinamikë atëherë pjesa e mbetur e vendvotimeve mund të rinumërohen brenda 10 ditëve.