Rinumërohen 377 vendvotime, aprovohen rreth 49 mijë vota nga diaspora e refuzohen mbi 18 mijë
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka mbajtur konferencë lidhur me progresin në procesin e rinumërimit dhe të aktiviteteve tjera që po zhvillohen në këtë qendër.
Elezi ka bërë me dije se janë rinumëruar 377 vendvotime. Po ashtu, Elezi ka bërë me dije se është duke vazhduar edhe procesi i vlerësimit të pakove që kanë ardhur nga diaspora.
Ai ka sqaruar janë aprovuar 48 mijë e 728 zarfe me fletëvotime dhe 18 mijë e 876 zarfe janë të refuzuara.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke punuar maksimalisht për të përmbyllur sa më shpejt aktivitetet që janë duke u zhvilluar këtu në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, me qëllim të shpalljes së rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët”.
“Dy aktivitetet që po zhvillohen këtu: rinumërimi i vendvotimeve për të cilat ka vendosur KQZ-ja dhe vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës, mund të themi se janë në përfundim e sipër dhe presim që të përmbyllen ditën e shtunë”.
“Deri më tani janë rinumëruar rreth 70% apo 377 vendvotime nga 552 sa është numri i përgjithshëm i tyre pas vendimit të fundit të KQZ-së. Shërbimi votues i KQZ-së është në përfundim e sipër të vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga jashtë Kosovës, nga 2 – 12 shkurt”.
“Nga puna e deritashme nga ky shërbim janë hapur 41 mijë e 236 pako të supozuara me fletëvotime prej nga kemi të aprovuara 48 mijë e 728 zarfe me fletëvotime dhe 18 mijë e 876 zarfe të refuzuara. Arsyet e mosaprovimit të tyre janë të ndryshme, por mund të kategorizohen në 5 grupe kryesore: 8 mijë e 417 zarfe janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; 6 mijë e 113 zarfe janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit sepse nuk kanë dëshmuar kriteret ligjore; 1 mijë e 268 votues kanë dërguar fletëvotime nga dy herë; 2 mijë e 249 zarfe të dërguara nga votues të paidentifikuar (votim grupor); 829 zarfe të dërguara nga votues të cilët kanë bashkangjitur dokumente jovalide për identifikim”, ka thënë Elezi.