Riorganizim i shkollave është në të mirë të nxënësve, askush nuk mbetet pa punë
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se nuk do të ketë mbyllje të shkollave, por riorganizim të tyre.
Ai ka theksuar se kjo reformë ka për synim që mos të ketë më pak se 20 nxënës në klasë dhe më pak se dy paralele në gjeneratë. Sipas Kastratit, nga ky proces nuk do të pësojë askush.
“Nuk do të ketë mbyllje të shkollave, por riorganizim. Në fakt, vendimi ende nuk është nxjerrë, por jemi duke diskutuar për këtë. Është e padrejtë që qytetarët të mos kenë edukim dhe arsimim cilësor e të shëndoshë. Për arsye të ndryshme nuk kemi arritur t’ua shpjegojmë mjaftueshëm këtë proces, sepse një grup i mësimdhënësve nuk e shpërndanë informatën drejt. Ne e kemi shtetin që i ka caktuar disa rregulla dhe për mua çfarëdo që është sipas rregullave e respektoj. Në këtë rast duhet të kuptohet se cila është përgjegjësia dhe mandati i kryetarit të komunës”, ka deklaruar Kastrati.
Ai ka thënë se procesi i riorganizimit të 19 shkollave fillore në Komunën e Kamenicës po bëhet për të mirën e nxënësve.
Duke folur për funksionimin e këtyre shkollave, Kastrati ka treguar se janë 25 klasë me nga 1 nxënës dhe 19 klasë të tjera me nga 2 nxënës.
“Unë tërhiqem veç nëse ata me bindin se kjo nuk është në të mirën e nxënësve. Riorganizimi i shkollave ndikon në rritjen e cilësisë sepse mundëson që në shkollat e mbetura t’i kemi mësimdhënësit më të mirë. Ky riorganizim mundëson investime të qëndrueshme në infrastrukturë, por edhe menaxhim më efikas të shkollave. Për grupet e tjera të interesit që mundohen të përfitojnë në kurriz të fëmijëve më vjen keq, por nuk kam çfarë të bëj. Subjekteve politike nuk u intereson a po rregullohet cilësia në arsim apo çfarë po ndodh, por vetëm mundohen ta qesin në pozitë të keqe kryetarin. Mua më intereson cilësia në arsim, për çka e kam përgjegjësinë dhe mandatin, kurse atyre u intereson diçka tjetër, që për mua nuk ka peshë dhe vlerë. Duhet të kemi parasysh se është me rëndësi që këta fëmijë, kjo gjeneratë, të rritet si duhet. I kemi 25 klasë që janë vetëm me nga një nxënës. I kemi 19 klasë që janë vetëm me nga 2 nxënës”, është shprehur Kastrati duke shtuar se këta nxënës, nëse vazhdojnë kështu, nuk do t’i kenë shkathtësitë dhe aftësitë që është dashur t’ua ofrojë arsimi.
Më tutje kryetari Kastrati ka bërë me dije se qëllimi i reformës nuk është largimi i njerëzve nga puna dhe rëndimi i gjendjes.
Ai ka thënë se tashmë janë paraparë masat që nuk e lënë askënd në rrugë.
“Nuk është e vërtetë se 200 punëtorë do të mbesin pa punë. Asnjë mësimdhënës nuk do të mbesë pa punë dhe pa të ardhura. Çka dëshiron të bëjë sindikata është tjetër çështje. Prej meje e kanë mundësinë që asnjeri prej tyre të mos mbetet pa të ardhura dhe, minimumi, 70 për qind të pagës. Brenda dy-tri vjetësh shumë mësimdhënës në Kamenicë do të jenë tepër. Nëse i trajtojmë individualisht ata shkojnë te shtëpia dhe mbesin pa asgjë, por nëse e bëjmë zgjidhjen tash, asnjë prej tyre nuk do të mbesë pa të ardhura. Juridikisht kjo quhet risistemim i mësimdhënësve dhe nuk hiqet askush prej punës”, ka thënë Kastrati.
Megjithatë, sipas tij, ky proces po përdoret politikisht në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Kastrati ka thënë se nga ky proces mund të humbë politikisht vetëm ai.
“I kam takuar të gjitha subjektet politike në nivel lokal dhe qendror si dhe të gjitha palët e tjera. Të gjithë kanë thënë se ky proces do të jetë në të mirë të nxënësve dhe të mësimdhënësve. Ne e dimë se kjo reformë nuk është popullore, e dimë se zbatimi i kësaj reforme mund t’i kushtojë qeverisjes aktuale, por jemi të bindur se prej saj do të përfitojnë nxënësit. Ata duhet të kenë edukim cilësor dhe të shëndosh që në të ardhmen t’i kenë të zhvilluara aftësitë dhe shkathtësitë në mënyrë që të jenë të konkurrueshëm në Kosovë, rajon dhe më gjerë. Në vitin 2019 nuk duhet të ketë dallim në arsimim pse dikush është i fshatit apo i qytetit. Pavarësisht se ku jeton, arsimi duhet të jetë i njëjtë. Prandaj u bëj thirrje subjekteve politike që të mos kalkulojnë vetëm sa për t’i marrë disa vota, por të punojmë në të mirë të nxënësve”, ka thënë Kastrati.