Rishfaqet liqeni “fantazmë”, po fundos çdo gjë që i del përpara
Europa është duke kaluar një periudhë thatësire historike, edhe për shkak të mungesës së reshjeve të dëborës gjatë dimrit, ndërsa me një situatë krejtësisht të ndryshme është duke u përballur Kalifornia.
Së fundmi, janë publikuar imazhe të kapura nga satelitët e NASA-s, të cilët pasqyrojnë rishfaqjen e liqenit “fantazmë” në Tulare, ku uji ka mbuluar një pjesë të madhe të tokave bujqësore, të cilat kanë qenë prej kohësh të thata. Në anën tjetër, banorët e zonave rreth liqenit janë duke u përgatitur për përmbytje pasi bora ka nisur të shkrijë.
Pamjet janë kapur midis fillimit të shkurtit dhe fundit të prill. Ato tregojnë transformimin që ka pësuar rajoni si pasojë e shirave të dendur dhe sasisë së madhe të dëborës së rënë gjatë dimrit.
Liqeni është i vendosur mes shpateve malore të mbuluara nga bora në Sierra Nevada. Autoritetet lokale do të duhet t’i bëjnë mirë llogaritë me shkrirjen e dëborës që pritet të përmbytë edhe më tej zonën, shkruan “The Guardian”. Të enjten, sasia e dëborës në majat e maleve është llogaritur më shumë se 400% mbi normalen e kësaj periudhe të vitit, sipas departamentit të burimeve ujore të Kalifornisë.
Rikthimi i liqenit në Tulare në fillim të pranverës shkaktoi dëme kolosale në një nga rajonet që njihet për prodhimin e qumështit dhe renditet ndër vendet e para në botë për këtë. Mijëra lopë ngordhën si pasojë e përmbytjes, ndërsa më shumë se 75 mijë të tjera u evakuuan në zona të sigurta.