Rishfaqja e Moikomit
Xhevdet Shehu
Moikomi është i paimagjinueshëm! Kështu ia thosha shpesh mikut tim Moikom, deri para afro një viti kur ai u nda nga jeta. Me atë krijimtari të gjithfarshme dhe të shumëllojshme, ai ishte në të njëjtën kohë i paparashikueshëm. Lexonte dhe sidomos shkruante jashtëzakonisht shumë. Shkruante letërsi, histori, publicistikë, arkeologji… Ndonjë ditë, kur të bëhet bilanci i i krijimtarisë së autorëve shqiptarë, kam bindjen se ai do të zerë një vend në krye të renditjes. Dhe ai pa asnjë dyshim ka një vend të merituar në këtë renditje.
Thashë në hyrje se Moikomi ishte sa i befasishëm, aq dhe një personalitet krejt i veçantë në letrat shqipe. Gjithë ajo kulturë që ai kishte akumuluar, sendërtohej në libra që ai i botonte shpesh, ndoshta më shpesh se çdo krijues tjetër. Në mënyrë të veçantë unë dua të falënderoj djalin e Moikomit, Epidamnin, për përkujdesjen dhe përkushtimin që tregon ndaj krijimtarisë dhe trashëgimisë kulturore të babit të tij të shquar.
Ikja e tij e parakohshme, në moshën 71 vjeçare, krijoi një boshllëk të ndjeshëm në letrat shqipe. Shumëkush mendoi se Moikomi me ikjen e tij, vështirë të rishfaqej sërish në formën e ndonjë sivëllami të tij. Por, edhe pas ikjes, Moikomi na befason sërish. Sapo është vënë në qarkullim një libër tjetër i çuditshëm i Moikomit, dhe unë kam nderin ta paraqes në prag të 72-vjetorit të lindjes së tij.
Informacion i përgjithshëm rreth librit
“Libri i minifabulave” i shkrimtarit dhe eruditit Dr. Moikom Zeqo ka lindur përgjatë pandemisë së koronavirusit nga amaneti i Moikomit që mbesa e tij Pandora, vajza e të birit Epidamn, të mësojë shqip nëpërmjet fabulave dhe vjershave të shkruara nga gjyshi saj.
Kur Moikomi ndërroi jetë më 15 Qershor 2020, Epidamni mori vendimin për krijimin e Institutit “Moikom”, dhe që vajzës së tij t’i fliste dhe lexonte vetëm në shqip, edhe pse jeton në Amerikë. Por fabulat, vjershat, tregimet, dhe legjendat të shkruara nga Moikomi s’ishin ende të ilustruara.
Tashmë minifabulat e Moikomit, të përzgjedhura për këtë botim, shoqërohen me ilustrimet origjinale e plot jetë në akuarel, tejet tërheqëse për fëmijët dhe prindërit, të krijuara nga artistja Enkeleida Ester Prifti, e diplomuar në Universitetin e Shën Petersburgut, Rusi.
Libri i Minifabulave është i pari i koleksionit të titulluar “Gjyshi Moikom”. Falë këtij koleksioni, fëmijë e prindër, edukatorë e mësues, do të mund të rizbulojnë krijimtarinë e larmishme të Moikomit, i cili ia përkushtoi një pjesë të rëndësishme të veprës së tij edukimit të brezit të ri.
“Si mësojnë fëmijët? Ata imitojnë prindërit e tyre, prandaj, ne duhet të veprojnë vetë si modele, dhe të përsërisim, dhe të përsërisim, dhe të përsërisim. Leximi i tregimeve me rimë mbetet një nga mjetet më të fuqishme që prindërit kanë për t’u mësuar më mirë komunikimin fëmijëve dhe për t’i vënë në gjumë. Rima është vaji i shkrim-leximit, i këngës, dhe i krijimtarisë. Ekuilibri emocional i fëmijëve lidhet drejtpërdrejt me aftësinë e tyre për t’u shprehur me gjeste e fjalor, bisedim e ton.” – shkruan Epidamn Zeqo, drejtor i Institutit “Moikom”.
Libri në të vërtetë nuk është dhe aq i befasishëm. Është një vazhdimësi krejt e natyrshme krijimtarisë së tij. Ja vëreni se çfarë ka shkruar ai me seriozitetin më të madh për fëmijët shqiptarë, të sotëm dhe të nesërm:
Autori
Moikom Zeqo (3 qershor 1949 – 15 qershor 2020) ishte poet, gazetar, mësues, arkeolog (arkeologu i parë nënujor në Shqipëri), politikan (ish- deputet dhe ish-Ministër i Kulturës) dhe muzeolog (ish-Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar). Ai është krahasuar edhe me Zhyl Vernin nga Odise Paskali për tregimet për fëmijë, që ka shkruar. Vepra e tij e pashembullt në letërsinë shqiptare përfshin më tepër se njëqind e pesëdhjetë (150) libra me poezi, fabula, vjersha, legjenda, tregime, prozë, studime arkeologjike e kërkimore dhe shkrime politiko-kulturore.
Në vitin 1971, u diplomua në Universitetin e Tiranës për filologji dhe letërsi. Më vonë u diplomua edhe për histori e arkeologji, si dhe ka bërë studime pasuniversitare në Romë, në Athinë, dhe në Ëashington D.C. Mban titullin “Mjeshtër i Madh” dhe “Kalorës i Urdhrit të Gjergj Kastriot Skënderbeut”.
Librat për fëmijë:
1. Kalorësit Dardan, 1977 – tregime
2. Stina e balonave, 1979 – vjersha
3. Heroi i detit Nanas dhe shpendi i tokës Guraks, 1980 – tregime
4. Pedagogu i Kopernikut, 1980 – tregime
5. Festa e Abetares, 1981 – vjersha
6. Skulptori i dëborës, 1983 – vjersha
7. Det O Det, 1984 – vjersha
8. Ditët 1984, – poezi
9. Shtëpiza e Pëllumbave, 1986 – vjersha
10. Çudia e fluturimit, 1987 – vjersha
11. Syri, 1988 – vjersha
12. Njëqind zemra, 1989 – poezi
13. Legjenda e Epidamnit, 1989 – vjersha dhe poema
14. Tri Shkronjat e Hënës, 1990 – poezi dhe vjersha
15. Princi i Vjeshtës, 1996 – përralla, tregime dhe skica
16. Vjeshta e princit, 1998 – tregime
17. Tre Libra në Një: për fëmijë 100 vjeç dhe pleq 10 vjeç, 2002 – tregime
18. Enigma E.Y. dhe kalorësit dardanë: tregime për pleq 10 vjeç dhe fëmijë 100 vjeç, 2012
19. Kësulëkuqja fluturuese dhe pedagogu i Kopernikut: tregime për pleq 10 vjeç dhe fëmijë 100 vjeç,2013
20. Si ta mësojë peshku abetaren?, 2014 – vjersha
21. Ëndrrat e Gjegj Kastriot Skënderbeut : tregime për pleq 10 vjeç dhe fëmijë 100 vjeç, 2019
Fragmente nga libri
1) GJYSHI MOIKOM
Gjyshi Moikom, i moçëm plot thinja,
di shumë̈ përralla të mira.
Në dhomë babai librat ka vënë,
në libra ka ngjarje, kafshë, dhe këngë.
Por unë akoma nuk di të lexoj,
ndaj përralla nga gjyshi netëve dëgjoj.
Si libër është gjyshi që tregon vetë,
i pari libër që njoha në jetë.
2) MILINGONA DHE ELEFANTI
Njëherë një milingonë
me elefantin u njoh.
Dhe për miqësi
e ftoi në shtëpi.
Elefanti pranoi,
shkoi të hyjë brenda,
shtëpinë e milingonës
s’ia zuri… as këmba!
3) SYTË E BUFIT DHE TRUMCAKU
Po mburrej bufi për sytë e tij:
“Kam sy të mëdhenj, sy mrekulli!”
E ndjeu trumcaku e me bufin qeshi:
“Sytë e tu, o buf, s’shohin ç’ndrit dielli!
Sado të mëdhenj që sytë ti i ke,
ditën me ta asgjë dot nuk sheh!”