Rishpallet i pafajshëm Bedri Halimi

23 mars 2022 | 12:38

Pas rigjykimit, kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Bedri Halimi, si dhe katër inspektorë të Komunës së Prizrenit, Enver Bytyqi, Nexhmedin Musliu, Bashkim Krasniqi dhe Ruzhdi Daka, janë liruar nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Aktgjykimi është shpallur të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala, sipas të cilit pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil.

Gjykatësi Shala ka thënë se arsyetimin e vendimit palët do ta pranojnë në afat të arsyeshëm kohor.

Fillimisht, në seancën e së mërkurës, pasi që aktakuza është konsideruar e lexuar, katër të lartpërmendurit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e prokurorisë, raporton “Betrimi për Drejtësi”.

Më tutje, prokurorja Merita Bina-Rugova dhe mbrojtja kanë qëndruar pranë fjalëve hyrëse të dhëna në gjykimin e kaluar.

Më pas, me propozimin e prokurores Bina-Rugova dhe mbrojtjes, provat e administruara në shqyrtimin e kaluar janë konstatuara të lexuara.

Kurse, Halimi, Bytyqi, Musliu, Krasniqi dhe Daka kanë qëndruar pranë mbrojtjes së dhënë në më herët, si dhe prokuroria dhe mbrojtja ka qëndruar pranë fjalëve përfundimtare.

Në këto rrethana, rigjykimi për këtë rast  ka përfunduar brenda gjysmë ore.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pavarësisht se sa e zënë është, Kim Kardashian gjithmonë i…