Rishpallet konkursi për drejtor të Policisë së Kosovës
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka rishpallur konkursin për drejtor të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Konkursi do të jetë i hapur nga data 2 korrik deri më 16 korrik.
Mandati i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës do të jetë pesë vjet, me mundësi vazhdimi pas çdo pesë (5) vjetëve nga autoriteti që e emëron, shkruan “Epoka e re”.
“Ministria e Punëve të Brendshme i shërben gjithë popullit të Kosovës. Ajo i inkurajon aplikacionet prej femrave dhe meshkujve, dhe pa dyshim, inkurajon të gjitha grupet etnike minoritare në Kosovë”, është bërë me dije në konkursin e MPB-së, i cili botohet të hënën në gazetën e përditshme “Epoka e re”.
Në këtë konkurs mund të informoheni për aftësitë, përvoja dhe atributet tjera, si dhe kualifikimet e kërkuara që kërkohen për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Gjithashtu mund të informoheni edhe për mënyrën e aplikimit për këtë pozitë.
Konkursi për drejtor të përgjithshëm të Policisë së Kosovës ishte shpallur më datë 08.05.2018, por ky konkurs është anuluar për shkak të disa shkeljeve.
Aktualisht, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës është Naim Rexha.
Drejtor i deritanishëm i Policisë së Kosovës ka qenë Shpend Maxhuni, i cili tashme është emëruar në krye të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).
/Epoka e re/