Rita Ora nderohet nga Shqipëria me titullin “Naim Frashëri”
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj , ka dekoruar me titullin “Naim Frashëri” artisten e mirënjohur, Rita Ora me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të dhënë në lartësimin e vlerave artistike dhe njerëzore përmes artit. Me mirënjohje për aktivitetin dhe rolin e saj si ambasadore në çështje me ndjeshmëri të lartë kombëtare dhe globale”.
Në ceremoninë e dekorimit, duke iu drejtuar familjarëve, miqve, të ftuarve dhe përfaqësuesve diplomatik të pranishëm, presidenti Begaj është shprehur i sigurt se ky nderim mbart vlerësimin e çdo artdashësi në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në botë.
“Janë miliona njerëz që mendojnë se ti je shembulli më i qartë se kur talenti dhe dimensioni njerëzor ndërthuren së bashku, krijojnë vlera të jashtëzakonshme që frymëzojnë globalisht. Më lejo të shpreh konsideratën time për të gjithë përkushtimin tënd për artin dhe kulturën. Njëkohësisht, gjej rastin të inkurajoj që të sjellësh për botën, por edhe për kombin tonë shembullin se si arti, vendos ura komunikimi në të gjitha dimensionet, bashkon njerëzit dhe shëron zemrat. Dhuntia jote, një zë i mrekullueshëm, së bashku me shumë talente te tjera që mbart, të kanë shndërruar në një njeri që ka rrëmbyer zemrat e miliona artdashësve”, ka thënë Begaj.