Rita Ora tërheq vëmendjen e mediave të huaja me veshjen tradicionale
Me rastin e 13-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Rita Ora ndau me 16 milionë ndjekësit e saj, foto nga projekti më i fundit muzikor, “Big”.
Në fotot në fjalë, këngëtarja e famshme shqiptare shfaqet e veshur me veshje tradicionale. Këto të fundit janë krijuar nga stilisti i njohur, Valdrin Sahiti, posaçërisht për Ritën.
E këto veshje të bëra me elementë nga zona të ndryshme të Shqipërisë, duket se kanë tërhequr edhe vëmendjen e mediave të huaja. “DailyMail” i ka kushtuar një shkrim urimit të Ritës për Pavarësinë e Kosovës dhe projektit të saj të ri muzikor.
“Këngëtarja që ka lindur në Prishtinë, publikoi në “Instagram” disa fotografi me veshjet e saj, që i pati veshur edhe në videoklipin e këngës ‘Big’. Veshja e Ritës është e përbërë nga një fustan i gjatë i zi me mëngë dhe me qëndisje prej ari. Ajo gjithashtu kishte veshur një këmishë të bardhë me geta së bashku me një shami koke ekstravagante kuq e zi. Rita kishte veshur edhe çizme blu të errëta me detaje leshi artificial dhe doreza të kuqe të ndezura ndërsa pozonte së bashku me disa gra të tjera me veshje tradicionale”, shkruan “Daily Mail”.
Në këtë artikull shkruhet edhe për jetën e këngëtares së famshme dhe prindërve të saj, të cilët emigruan nga Kosova gjatë viteve të vështira të luftës, për të nisur një jetë të re në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjithashtu në shkrim flitet edhe për historinë e Kosovës, ku thuhet se është shteti i dytë më i ri në botë, duke shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2008.