RITHEMELIMI I INSTITUTIT PËR HULUMTIMIN E KRIMEVE TË LUFTËS, RICIKLIM I DËSHTUAR APO MATERIALIZIM I PUNËVE TË TË TJERËVE!
Propozim i KMDLNj – së për Grupin Punues për themelimin e Institutit për Krime Lufte
Pas përfundimit të luftës kërkesa kryesore e KMDLNj–së drejtuar institucioneve të Kosovës ka qenë që të themelohet një institucion shtetëror apo mekanizëm, nuk kishte emri rëndësi, për hulumtimin e krimeve të luftës si dhe pasojave të luftës për faktin se barra kryesore për këtë çështje ishte të Organizatat Joqeveritare në të cilat mbështeteshin edhe institucionet e Kosovës, pa e bërë verifikimin e të dhënave. Këto të dhëna kalonin nga duar në duar pasi në Kosovë kishte një shpërthim i OJQ-ve që “merreshin“ me këtë çështje përkundër faktit që nuk kishte më shumë se 4-5 organizata që merreshin me krime lufte, të dhënave e të cilave mund t’iu besohej. Pas të gjitha konflikteve dhe luftërave të armatosura, edhe në hapësirat e ish–Jugosllavisë por edhe në shtetet tjera ku ka pasur shkelje masive të të drejtave të njeriut, krime të luftës, krime kundër njerëzimit e deri në gjenocid, shteti ka themeluar mekanizma për hulumtim të krimeve dhe pasojave të luftës kurse OJQ-të kanë ndihmuar këtë mekanizëm me të dhënat e grumbulluara dhe të cilat është dashur të verifikohen dhe vërtetohen nga mekanizmi shtetëror .
Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës ishte themeluar në Kosovë në vitin 2011, me një staf të pakompletuar, në disa raste edhe profesionalisht i papërgatitur. Po i njëjti institut ishte mbyllur në vitin 2018 dhe Ministria e Drejtësisë e kishte formuar Divizionin për Drejtësi transicionale me qëllim të vazhdojë punën e këtij instituti. Realisht, krahasuar me institucionet e ngjashme në vendet tjera, Instituti për Krime Lufte në Kosovë nuk e kishte vëmendjen dhe interesin e duhur të shtetit kurse përkrahja materiale dhe logjistike ishte e pamjaftueshme për të bërë një punë si duhet. Përjashtuar segmentit për trashëgimi kulturore dhe mbase edhe i viktimave të dhunimit, pjesa tjetër punonte sipas parimit copy paste dhe nuk kishte kapacitet profesional për të përmbushur detyrimet.
Ministria e Drejtësisë përkatësisht ministrja Albulena Haxhiu bëri përpjekje për rithemelim të këtij Instituti por, shkaku i shkurt gjatësisë së qeverisjes, kjo përpjekje dështoi.
Me vendim të Qeverisë së Kosovës Nr.18/48, 07/12/2020 është miratuar propozimi i Ministrisë së Drejtësisë për ringjalljen e këtij Instituti dhe, në këtë kontekst dhe për këtë qëllim është caktuar Grupi punues për përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të kryera në Kosovë gjatë luftës në Kosovë.
Është caktuar një afat për ta përfunduar analizën (muaji dhjetor i këtij viti) dhe KMDLNj mendon se ky afat është i pamjaftueshëm për ta përfunduar punën si duhet.
Realisht, për ta kuptuar seriozitetin e qasjes së qëndrueshmërisë të këtij Instituti duhet ta kemi parasysh faktin se më parë ishte themeluar Grupi ndërministror për Ballafaqim me të Kaluarën dhe Pajtim i cili , për shkak të mospërkrahjes së duhur dhe qëllimeve politike ishte shuar ndonëse pati krijuar një perspektivë të mirë të punës.
KMDLNj ka sugjerime që Instituti i rithemeluar, nëse rithemelohet të ketë një emërtim tjetër shkaku se për shkak të rrethanave, në radhë të parë –kohës (22 vjet pasi lufta ka përfunduar), më së paku do të merret me hulumtime por më shumë do të merret me verifikimin e vërtetësisë së materialeve të grumbulluara nga të tjerët, OJQ-vë vendore dhe ndërkombëtare, do të përpunojë këto të dhëna, do të sistemojë sipas parimeve profesionale dhe do të krijojë një bazë për të dhëna të centralizuar shtetërore si parakusht për ruajtje të Kujtesës Historike e që, deri më tani nuk është bërë, është bërë në baza të fragmentarizmat etj. Që ky mekanizëm të ketë qëndrueshmëri të mbështetemi në disa parime themelore që garantojnë kushte të punës si:
Vullneti politik dhe garantimi i pavarësisë së veprimit: Ky mekanizëm i rithemeluar mund të ketë sukses nëse ekziston vullneti politik dhe se nëse ky vullnet politik nuk ndërlidhet me mandatin qeverisës së një qeverie. Instituti – mekanizmi duhet të ketë përkrahje të plotë të gjitha qeverive, si në sigurimin e qasjes së papengueshme në materiale të nevojshme ashtu edhe në sigurimin e përkrahjes që këto materiale të jenë të qasshme edhe në institucionet tjera joqeveritare dhe ndërkombëtare. Politika nuk duhet të ndërhyjë në asnjë rrethanë në punën e Institutit në mënyrë që të mos e cenojë pavarësinë e plotë të veprimit përmes ndikimit politik.
Çështja e pronësisë së Institutit: Vendimin për ta themeluar Institutin dhe kushtet e punës duhet të jenë gjithmonë e vendorëve. Ky vendim duhet të marrë si parësore interesin dhe mbrojtjen e viktimave dhe të mbijetuarve duke qartësuar detyrat, funksionet dhe kufizimet. Ndërkombëtarët duhet të sigurojnë informacione, trajnime dhe ekspertiza krahasuese me institutet e vendeve të. ndryshme duke marrë parasysh praktikat pozitive.
Themelimi sipas veçorive të vendit: Ky komision apo Institut duhet t’i përgjigjet konteksteve të, të vendit, të jetë unik dhe të marrë parasysh mundësitë ekzistuese. Duhet të marrë praktikat e mira dhe pozitive të vendeve tjera por duhet të mbështetet ekskluzivisht në specifikat e vendit për faktin se çdo vend i ka specifikat e veta.
Strategjia dhe qasja gjithëpërfshirëse: Instituti apo Komisioni që do të rithemelohet paraqet vetëm një segment të drejtësisë transicionale dhe duhet të merren parasysh edhe nismat tjera që e ndihmojnë këtë mekanizëm për ndjekje penale, verifikimin e të dhënave dhe dëmeve të shkaktuara, si pasojë e luftës etj. Duhet të respektohet përfaqësimi dhe pjesëmarrja në Institut sipas parimit etnik dhe gjinor për faktin se edhe viktimat sikur edhe shkelësit i përkasin këtyre kategorive.
Ndihma dhe përkrahja e domosdoshme ndërkombëtare: Ndihma dhe përkrahja ndërkombëtare, përveç përkrahjes financiare për një pjesë të aktiviteteve, është e domosdoshme për sigurimin e të dhënave që i kanë përmes mundësimit të qasjes në dokumente që i kanë , arkiva shtetërore të qeverive të huaja, ndihmë teknike dhe politike trajnime dhe ekspertizë profesionale si dhe hetues ndërkombëtarë aq më parë që në Kosovë aktualisht kemi misione ndërkombëtare.
Pavarësia financiare: instituti apo Komisioni duhet të kenë pavarësi të plotë financiare, në përputhje me mandatin dhe punën që e bëjnë. Duhet të ketë një linjë të veçantë buxhetore që i përmbush, pa asnjë kufizim dhe pa asnjë kushtëzim nevojat e personelit të Institutit e që edhe vet e bëjnë propozimin.
Mandati i Institutit: Mandati i Institutit apo Komisionit që do të rithemelohet duhet të përcaktojë shumë qartë dhe duhet të rregullohen me një Ligj të veçantë:
Kohëzgjatjen e punë së Institutit apo Komisionit e që nënkupton datën e fillimit të punës dhe datën e përfundimit ndërsa mund të shkohet në variantin që të mos ketë kufizime strikte sa i përket kohëzgjatjes së veprimit. Realisht, KMDLNj mendon dhe propozon që afati kohor të kufizohet në 2 vjet me mundësi vazhdimi edhe për një vjet tjetër. Nëse nuk do të kemi përkufizim të kohës atëherë do të bjerë edhe efikasiteti i punës dhe do të kemi një shpërqendrim . Sa më shumë që të zgjatet puna e Institutit apo Komisionit, do të krijohen vështirësi për përmbushjen e aktiviteteve të synuara për faktin se mosha dhe vdekja e dëshmitarëve të mundshëm ndikon në cilësinë e punës së Institutit apo Komisionit.
Përgjegjësitë e Institutit apo Komisionit: Realisht, përgjegjësitë që do t’i ketë ky Institut apo Mekanizëm do të jetë përcaktues për fuqinë, fushën e veprimit, suksesit apo vendnumërimit të këtij institucioni. Kompetencat e dhënë këtij Mekanizmi së paku duhet të përfshijnë ato përgjegjësi dhe veprime që i kanë pasur mekanizmat e ngjashëm në shtetet ku ka pasur shkelje të rënda të të drejtave të njeriut sikur që janë intervistimi, i dëshmitarëve dhe viktimave, hulumtimi, bashkëpunimi me institucionet publike që sigurojnë qasje në dokumente, bashkëpunimi me institucione ndërkombëtare dhe, në rast kur është e nevojshme, bashkëpunimi me nisma rajonale. Institutit apo Mekanizmit duhet t’i jepen kompetenca të plota që me punën që e bënë të kontribuojë në sigurimin e drejtësisë për viktima dhe të përgjegjësisë për ata që kanë bërë krime.
Llojet e shkeljeve që duhet hetuar: Mbështetur në praktikat e vendeve që kanë treguar një sukses sikur që mbështetur edhe në përpjekjet që i ka bërë Instituti paraprak për Hulumtime të Krimeve të Luftës, edhe ky Institut apo Mekanizëm duhet të përqendrohet në hulumtimin e shkeljeve të rënda të drejtave të njeriut (torturat, ndalimet dhe arrestimet arbitrare, vrasjet pa një vendim të gjykatës dhe pa një proces gjyqësor, zhdukjet, dhunimet seksuale si mjet lufte, krimet kundër njerëzimit, gjenocidi etj.) Shkatërrimi i bazës ekonomike, për qëllim të arritjes së caqeve politike dhe ushtarake, si pamundësia për të jetuar dhe shtytja për zhvendosje brenda dhe jashtë vendit përmes rrënimit të bazës ekonomike dhe sociale, si mjet lufte duhet të hetohen nga Instituti apo Mekanizmi i rithemeluar sikur që duhet të hetohet edhe korrupsioni, që përdoret për të njëjtat qëllime. Ndikimi ekonomik, si formë e keqtrajtimit sidomos është përdorur nga regjimi i ish–Jugosllavisë dhe i Serbisë në periudhën, para dhe gjatë luftës së fundit si formë e shtypjes ekskluzivisht mbi baza etnike dhe për qëllime politike dhe ushtarake.
Aktivitetet kryesore: Mandati i veprimit të Institutit apo Mekanizmit që do të ri themelohet duhet të përcaktojë dhe numërojë qartë detyrat dhe aktivitetet kryesore si: marrja e deklaratave (intervistimi) i viktimave, nga dëshmitarët dhe nga të gjithë ata që kanë fakte që e ndihmojnë Institutin, të bëjë hulumtime, të mbledhë, përpunojë dhe sistemojë profesionalisht materialet e mëparshme sikur që duhet të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbulimin e së vërtetës dhe të përgatisë materiale për gjykatat. Pas që ka kaluar një kohë e gjatë pas përfundimit të luftës në Kosovë, KMDLNj konsideron se duhet të caktohen prioritetet dhe të mos zgjerohemi në të gjitha temat për faktin se do të kishim përsëritje të një status quo-je. KMDLNj vlerëson se sa i përket pasojave në njerëz, OJQ-të që janë marrë me këtë çështje kanë përfunduar pjesën dërrmuese të punës prandaj Instituti duhet të merret vetëm me rastet ku ka dyshime se nuk janë përpunuar mirë që nënkupton se Instituti nuk duhet të hulumtojë nga fillimi rastet që janë të qarta por se duhet të merret kryesisht me përpunimin, sistemimin dhe krijimin e një baze e të dhënave në nivel qendror e që do ta kishte vulën e shtetit, që është edhe kushti kryesor për Ruajtjen e Kujtesës Historike sikur që është bazë e fortë për përgatitjen e kallëzimeve penale.
Kriteret për përzgjedhjen e anëtarëve të Institutit apo Mekanizmit të ri themeluar: Përfundimisht asgjë dhe askush nuk do t’i epë vulën e seriozitetit , askush dhe asgjë nuk do të ngjallë shpresat për viktimat se do të ketë drejtësi për ta si dhe përgjegjësi për ata që kanë kryer se përbërja e Institutit apo Mekanizmit përkatësisht ata që do të jenë anëtarë. Në shumë raste përbërja është përcaktuese për suksesin e një misioni apo dështim. Përzgjedhja sipas preferencave apo nevojave politike e ka dëmtuar shumë Institutin për Krime të Luftës që u shpërnda nga ish – ministri i Drejtësisë dhe i cili nuk ishte i pa bazë duke e bërë të varur nga politika dhe ndikimet politike.
Si kriter themelor për të qenë anëtar i Institutit apo Mekanizmit duhet të jetë përgatitja dhe integriteti profesional. Përvoja në punë me viktima duhet të jetë njëri ndër kriteret përcaktuese sikur që edhe e kaluara profesionale duhet të ketë ndikim në përzgjedhje të anëtarëve të Institutit. Nuk mund të jetë anëtar i Institutit një person që nuk ka ndjeshmëri për viktimat apo i cili, në të kaluarën ka qenë pjesë e politikave diskriminuese e që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ka shkaktuar vuajtje dhe viktima. Aty mund dhe duhet të jenë të përfaqësuar anëtarë që përfaqësojnë grupe të ndryshme etnike, përfaqësimit në bazë të gjinisë, pa bërë asnjë diskriminim.
Propozimi i KMDLNj –së është që anëtarët e Institutit apo Mekanizmit të ri themeluar duhet të punojnë me orar të plotë të punës dhe të kompensohen si ekspertë hiç këtu ata që janë pjesë e përkrahjes logjistiko – teknike.
KMDLNj vlerëson se nuk mund të jetë askush anëtar i Institutit apo Mekanizmit e që nuk i plotëson kriteret e lartpërmendura. Kohëzgjatja e kontratës së punës ndërlidhet me afatet e punës së Institutit.
KMDLNj mendon dhe rekomandon që anëtarët e Institutit apo Komisionit duhet të kalojnë një cikël trajnimesh për të njohur me metodologjinë dhe praktikat e mira të vendeve të ndryshme, ku ka pasur sukses.
KMDLNj e ka bërë këtë propozim në formë të tezave – udhëzuesit por se, nëse kërkohet, mund ta plotësojë edhe më shumë propozimin.
KMDLNj kërkon që pas analizimit të gjitha propozimeve të anëtarëve të Grupit Punues për Themelimin e Institutit për Krime lufte dhe akterëve tjerë, draft propozimi të dërgohet për shqyrtim te anëtarët e Grupit Punues në mënyrë që të japin ndonjë rekomandim apo sugjerim plotësuese e që mund t’iu ketë ikur më parë.
12 maj 2021 Prishtinë
Behxhet Sh. SHALA ,
Drejtor Ekzekutiv dhe anëtar i Grupit Punues për Themelimin e Institutit për Krime Lufte.