Ritme të larta infektimesh me Covid-19 në Evropë
Shifrat e infektimeve ditore vijojnë të jenë të larta në gjithë Evropën. Në Francë, shifra e infektimeve nuk bie nën 10 mijë prej disa ditësh. Këtë 24 orësh, shifra e të infektuarve arriti në mbi 10 500. Të larta ritmet e përhapjes edhe në Çeki e Belgjikë.
Pas rekordit absolut të vendosur të premten me mbi 14 mijë të infektuar ditorë në Spanjë, autoritetet vendosën aplikimin e masave bllokuese të karantinës në shumicën e lagjeve të Madridit, që është vatra kryesore e vendit.
Megjithatë, policët janë përballur në shumë raste me rezistencën e banorëve.
Me kundërshtime po përballen edhe autoritetet britanike, pas paralajmërimeve për vendosjen e karantinës kombëtare, teksa infektimet ditore janë mbi 3 mijë.
E kundërta ndodh në Zelandën e Re dhe Australi, ku karantina e vendosur në hapësira të gjera të banuara javët e fundit i ka ulur në numra dyshifrorë infektimet gjatë këtyre ditëve. Në Zelandën e Re, autoritetet hoqën pjesën më të madhe të masave bllokuese, teksa nuk pati të infektuar të tjerë gjatë 24 orëve të fundit.
Në gjithë botën numërohen mbi 31 milionë, mes të cilëve mbi 965 mijë kanë humbur jetën./TvKlan/