Rivarroset dëshmori Behram Morina
Me nderime ushtarake të enjten është rivarrosur dëshmori Behram Morina në Kompleksin e Dëshmorëve në Marinë të Skenderajt.
Rivarrimi është kryer nën përkujdesjen e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, dhe dëshmori Morina tashmë do të jetë pranë bashkëluftëtarëve të tij.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenkë Gjetaj, ka thënë se e gjithë procedura e rivarrimit ka shkuar në rregull.
Gjetaj ka thënë se familja Morina ka treguar një bashkëpunim të jashtëzakonshëm gjatë përfundimit të procedurave të identifikimit.
Ndërsa vëllai i dëshmorit, Nezir Morina, ka thënë se pas përfundimit të të gjithë procedurave të identifikimit dhe rivarrimit ndjehet më i lehtësuar.
E mbesa e tij, Qëndresa Mehmeti, kishte zgjedhur një poezi për ta kujtuar dajën e saj.
Në ceremoninë e rivarrimit të dëshmorit Behram Morina morën pjesë kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcit, përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komunës së Skenderajt.
/Epoka e re/